Kurti dhe Abdixhiku shprehin gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja

10 Korrik 2026 | 21:43

Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, zhvilluan të premten bisedime në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit.

Derisa takimi nuk solli ndonjë përparim konkret, të dy liderët thanë se dëshirojnë t’i japin fund krizës institucionale dhe politike që e ka goditur vendin për gati dy vjet, duke i shmangur ato që do të ishin zgjedhjet e katërta radhazi parlamentare gjatë kësaj periudhe.

Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, thanë do të zhvillojnë bisedime të mëtutjeshme në ditët në vijim.

Duke folur për media pas takimit, Kurti tha se ndihet optimist dhe shpresëdhënës se do të ketë marrëveshje, pavarësisht se takimi i parë nuk solli ndonjë përparim konkret.

“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim këtu me ju. Unë jam optimist”, tha Kurti për media.

Pjesë e takimit ishte edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhje garoi në një listë me LDK-në me synim për t’u rizgjedhur presidente.

Kurti theksoi se bisedoi me Abdixhikun dhe Osmanin për formimin e të gjitha institucioneve, por nguli këmbë se ka kohë edhe katër javë për konstituimin e Kuvendit, duke iu referuar afatit kushtetues i cili hyri në fuqi në fillim të kësaj jave pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Abdixhiku, ndërkohë, tha pas takimit se “në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangen së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, po edhe njëherë po them të katërtat me radhë”.

Ai shtoi se LDK-ja kërkon “stabilitet institucional dhe patjetër balancë demokratike, në të cilën të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”.

Takimi i tyre vjen pasi partia kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK), thanë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve me Kurtin mes një krize institucionale pothuajse dyvjeçare.

Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila garoi në një listë të përbashkët me Osmanin, duke i fituar 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Çështja e presidentit është në qendër të këtyre bisedimeve, por Kurti dhe Abdixhiku uk treguan nëse biseduar për ndonjë emër konktret për president.

I pyetur nëse pas takimit nëse Osmani ishte temë e bisedimeve për presidente, Kurti nuk tregoi, por tha se nevojitet një kandidat konsensual, diçka që e ka thënë vazhdimisht në të kaluarën.

Tërheqja e PDK-së dhe AAK-së

Kurti zhvilloi takim fillimisht me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, të premten në mëngjes. Ndërsa, kreu i Aleancës, Ardian Gjini, e hodhi poshtë ftesën e tij për takim.

Bisedimet mes Kurtit dhe Hamzës dështuan, dhe ky i fundit tha se partia e tij do të tërhiqet nga bisedimet pasi do të qëndrojë në opozitë.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur dhe diskutimet që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, që t’i japin vendit institucione, duke i përfshirë të gjitha institucionet”, tha Hamza për gazetarët.

Kurti tha se si udhëheqës i partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit, përgjegjësia e tij është për formimin e Qeverisë, por përsëriti qëndrimin se për çështjen e presidentit, përgjegjësia është e të gjitha partive.

Ai përsëriti qëndrimin për një figurë konsensuale dhe jo partiake për postin e presidentit, duke theksuar se një kandidaturë e tillë do të ishte në përputhje me Kushtetutën.

Ndërkohë, Gjini i Aleancës tha pasi e refuzoi takimin se partia e tij veçse i ka paraqitur gjashtë kushte që do të duhej t’i plotësonte Kurti në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve.

Analisti politik, Ilir Deda, i ka vlerësuar si pozitive këto takime, por ka theksuar se është koha e fundit “që me një apo dy takime maksimum” udhëheqësit politikë “të japin përgjigje për krijim të institucioneve”.

Deda i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte shumë e dëmshme për vendin, duke shtuar se “Kurti, Hamza dhe Abdixhiku, e kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme që së bashku të merren vesh dhe t’i japin Kosovës një Qeveri funksionale, një president dhe një stabilitet politik në katër vjetët e ardhshëm”.

Bisedimet vijnë pasi këtë javë u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kryeparlamentarja dhe njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Albulena Haxhiut, pritet ta thërrasë një seancë konstitutive të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, seanca duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Në këtë seancë bëhet konstituimi i Kuvendit, zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa më pas vazhdohet me procedurat për formimin e Qeverisë së re.

Pas konstituimit të Kuvendit, Haxhiu e nominon partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë, në këtë rast Lëvizjen Vetëvendosje.

Haxhiu shkroi në Facebook pas certifikimit të rezultateve se do ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, pa treguar kur saktësisht.

Kushtetuta parasheh që presidenti duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit.

Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025./REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa rezultat konkret, vijojnë negociatat për institucionet e reja në Kosovë

Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk solli asnjë marrëveshje konkrete për formimin...
17:39 | 10/07/2026

Takim me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve të reja, Kurti mbërrin në ambientet e Kuvendit (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të zhvillojë këtë të premte takime të ndara me kryetarin e Partisë Demokratike...
09:12 | 10/07/2026

Abdixhiku: Do të takohem me Kurtin, zgjedhjet e reja çmenduri politike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se e ka pranuar ftesën nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Ai tha se do të marrë pjesë...
19:02 | 09/07/2026