Franca përballet me një parlament të përçarë dhe paralizë politike pasi asnjë nga aleancat nuk fitoi shumicën absolute prej 289 vendeve të nevojshme për të formuar qeverinë.
Pyetja e madhe që shtrohet tani është se kush mund të qeverisë Francën dhe cilat janë disa nga rezultatet e mundshme?
Meqenëse aleanca e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor doli i pari në zgjedhjet legjislative franceze, ata duhet të emërojnë Kryeministrin. Por ka pasur shumë përplasje të brendshme brenda së majtës se kush duhet të udhëheqë qeverinë. Jean-Luc Mélénchon, ka deklaruar vazhdimisht se është gati të marrë këtë rol.
“Mélénchon është një figurë me ndikim dhe përçarës që zmbraps shumë votues, kështu që do të përbëjë një problem serioz nëse ai emërohet. Çështja me partinë e majtë dhe të Gjelbër është se ata nuk kanë një kryeministër të qartë për të emëruar. Shumë njerëz brenda të majtës thonë se mund të jetë Melenchon, të tjerë thonë se nuk mund të jetë ai”, shprehet nje ekspert.
Një qeveri e pakicës me më pak se 289 vende do të nënkuptonte gjithashtu se koalicioni i krahut të majtë do të duhej të jetonte nën kërcënimin e vazhdueshëm të një votimi mosbesimi nga partitë e tjera.
Opsioni dy është Emmanuel Macron mund të përpiqet të ndërtojë një koalicion të brishtë me të moderuarit nga partitë e majta dhe të djathta. Por ky opsion duket më pak i mundshëm pasi udhëheqës të shumtë partish kanë shprehur kundërshtimin e plotë ndaj krijimit të aleancave të caktuara.
Një tjetër opsion për Macron do të ishte emërimi i një qeverie teknokratike me ministra pa ndonjë përkatësi të veçantë politike për të trajtuar çështjet aktuale. Megjithatë, disa ekspertë e refuzojnë një opsion të tillë.
Seanca e parë e Asamblesë Kombëtare do të mbahet më 18 korrik dhe pritet të shihet se cilin opsion do të marrë në dorë qeverisjen e Francës