Kuvendi i Kosovës nderime për kongresmenin e ndjerë amerikan, Eliot Engel

24 Prill 2026 | 14:14

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë bërë nderime në një seancë përkujtimore të premten ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill në moshën 79-vjeçare.

Një fotografi e Engelit – njërit prej mbështetësve më të mëdhenj të Kosovës – u vendos pranë foltores së Kuvendit nga ku zyrtarë të lartë e deputetë të Kosovës shprehën respekt dhe vlerësim të lartë për figurën e tij.

Eliot u përkujtua si zëri i lirisë, çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e kujton Engelin si një figurë që i doli përkrah Kosovës në ditët më të vështira.

“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e [ish-liderit serb Sllobodan] Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, tha Haxhiu.

Engel, demokrat, kishte përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.

Ai kishte qenë ndër ligjvënësit e parë amerikan që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.

Një dekadë më vonë, ai ishte edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e lartësoi Engelin si “mik dhe mbështetës të madh të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti”.

“Ai nuk hezitoi asnjëherë të ngrejë zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë”, theksoi Kurti.

Kurti e vlerësoi Engelin si shërbyes të përkushtuar të qytetarëve amerikanë dhe përfaqësues të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile “kudo në botë e sidomos për ne” për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan.

“Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë, që kur u njoh për së afërmi me të”, shtoi ai.

Kurti gjithashtu e citoi një deklaratë të Engelit nga një ceremoni për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 2018 në Kuvendin e shtetit “të cilin kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej”

“Ai tha, po citoj: ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara’”, citoi Kurti Engelin.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë Engelin të famshëm në Kosovë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Liberia sekuestron rreth katër ton kokainë me vlerë 317 milionë dollarë

Autoritetet në Liberi kanë sekuestruar gati katër ton kokainë me një vlerë të përllogaritur prej rreth 317 milionë dollarësh, në atë që konsiderohet një nga...
18:59 | 23/07/2026

Mbi 80 mijë persona nënshkruajnë një peticion që kërkon përsëritjen e finales së Kupës së Botës

Humbja e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 në stadiumin MetLife në New Jersey ka shkaktuar reagime të shumta nga tifozët,...
17:04 | 23/07/2026

Trump: Marrëveshja bërthamore me Riadin lidhet me njohjen e Izraelit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se marrëveshja historike bërthamore civile mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite varet nga vendimi i Riadit për t’iu...
16:12 | 23/07/2026