“Liri për komandantët e UÇK”, protestë mbarëkombëtare më 17 tetor në Tiranë
Shqiptarët nga të gjithë vendet e rajonit dhe diaspora, do mblidhen më 17 tetor në Tiranë, për të protestuar për drejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, njoftoi Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) gjatë një konference për media.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha nga Tirana se kjo protestë vjen pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe në Hagë.
“Arsyet tashmë janë të qarta dhe të njohura për opinionin publik: padrejtësia që po ushtrohet në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të kategorive të dala nga lufta, shprehim mirënjohje të përhershme për qeverinë e shtetit shqiptar, për kujdesin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj kësaj çështje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: Drejtësi për çlirimtarët kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre.
Sot nga kjo tryezë iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, veçanërisht nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është vetëm çështje e disa individëve, por është çështje e të gjithë neve, është çështje e dinjitetit, sakrificës dhe e vërtetës historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’u kundërvënë padrejtësive,” tha Gucati.
Ai shtoi se qeveria shqiptare po kontribuon në mënyrë aktive në këtë drejtim.
“Tirana po bën shumë për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos kryeministri Edi Rama. Ne jemi dëshmitarë se si Qeveria e Shqipërisë ka kërkuar edhe një rezolutë të përbashkët Kosovë-Shqipëri për ta dërguar në Këshillin e Evropës, sepse vetëm Shqipëria ka këtë të drejtë, pasi Kosova nuk është anëtare. Besoj dhe shpresoj se qeveria shqiptare nuk do të mungojë dhe do të japë kontributin e saj maksimal,”- tha Gucati.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, deklaroi se Gjykata Speciale po përpiqet të njollosë luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
LEXONI GJITHASHTU:
Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
BE miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, goditen bankat, nafta dhe “flota në hije”
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia