Lituania akuzon Moskën dhe Minskun: Planifikuan sulmeve ndaj diasporës bjelloruse

24 Prill 2025 | 07:25

Departamenti Shtetëror i Sigurisë në Lituani (VSD) tha se ka zbuluar një operacion sekret të shërbimeve të inteligjencës ruse dhe bjelloruse që synon nxitjen e dhunës ndaj bjellorusëve që janë në mërgim, të cilët jetojnë në Lituani.

Ky komplot, që përfshinte provokime dhe fushata të dezinformimit, u zbulua përmes një njoftimi të publikuar nga VSD-ja, që u transmetua nga transmetuesi publik lituanez, LRT.

Sipas autoriteteve lituaneze, shërbimet e huaja të inteligjencës kanë qenë duke orkestruar incidente gjithnjë e më të rrezikshme kundër diasporës bjelloruse në Lituani, që numëronte mbi 57.000 persona në fillim të vitit 2025.

Autoritetet thanë se agjentë të huaj kanë tentuar të simulojnë përplasje midis të ashtuquajturve bjellorusë “Litvinistë” – ndjekës të një ideologjie që e lidh identitetin bjellorus me Dukatin e Madh të Lituanisë – dhe grupeve të fabrikuara nacionaliste lituaneze.

“Organizatorët po përpiqen të inskenojnë konflikte midis forcave të kundërta – bjellorusëve që mbështesin idetë Litviniste dhe grupeve të ashtuquajtura lituaneze që shfaqen si kundërshtare të tyre”, tha VSD.

Provokimet e fundit

Zyrtarët thanë se nuk janë identifikuar grupe të vërteta ekstremiste Litviniste në Lituani, dhe se besojnë që kjo narrativë po manipulohet nga propaganda bjelloruse dhe ruse për të nxitur mosbesim dhe përçarje.

Provokimet e fundit përfshijnë video-mesazhe të rreme, që pretendohet se janë dërguara nga ushtarë bjellorusë, grafite kundër bjellorusëve, kërcënime ndaj ligjvënësve lituanezë dhe personave që janë larguar nga Bjellorusia dhe jetojnë në Vilnius, si dhe fushata në rrjetet sociale që përhapin pretendime pseudo-historike rreth së kaluarës së rajonit.

VSD-ja paralajmëroi banorët që të mos bien pre e këtyre provokimeve, duke theksuar se “pjesëmarrja në aktivitete të tilla mund të çojë në pasoja administrative apo penale”.

Është shtuar vëmendja ndaj shtetasve bjellorusë që jetojnë në Lituani. Shumë prej tyre po përballen me kontrolle gjithnjë e më të rrepta për vizat, vështirësi në zgjatjen e lejeve të qëndrimit, madje edhe dëbime, për shkak të lidhjeve të mëparshme me institucionet shtetërore bjelloruse ose ushtrinë.

Mediet lituaneze e kanë quajtur këtë fushatë dezinformimi “Litvinizëm”. Autoritetet theksojnë se rreziku i vërtetë nuk qëndron në vetë ideologjinë, por në mënyrën se si ajo po shfrytëzohet për të destabilizuar komunitetet.

Në shenjë mirënjohjeje për raportimin mbi këtë çështje, Departamenti i Pakicave Kombëtare i Qeverisë lituaneze së voni i ka ndarë një çmim Shërbimit bjellorus të Radios Evropa e Lirë mbi një hulumtim që hedh dritë mbi aktorët që qëndrojnë pas fushatës dhe ndikimet më të gjera gjeopolitike të kësaj fushate.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Numri i të zhdukurve nga tërmetet në Venezuelë po rritet, fati i 10,000 personave është i panjohur

Më shumë se 10,000 persona u raportuan të zhdukur pas tërmetit që goditi Venezuelën gjatë natës, sipas të dhënave nga një faqe interneti e krijuar...
16:42 | 25/06/2026

“Ka njerëz gjallë atje”, dëshmitë rrëqethëse nga zonat e goditura nga tërmeti në Venezuelë

Shumë banorë e kaluan natën në rrugë ose duke kërkuar familjarët e tyre në Catia La Mar, në shtetin La Guaira, një nga zonat që...
16:14 | 25/06/2026

“Mendova se do të vdisja’ – Venezuelianët përshkruajnë panikun e tërmetit, familjet ende kërkojnë të mbijetuarit

Mbi 160 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën të mërkurën në mbrëmje, duke...
16:04 | 25/06/2026