Macroni i bën thirrje Iranit ta shmangë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme

7 Gusht 2024 | 20:16

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje të mërkurën homologut të vet iranian, Masud Pezeshkian, “të bëjë gjithçka për ta shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak” në Lindjen e Mesme, njoftoi Presidenca franceze.

“Një përshkallëzim ushtarak nuk do të ishte në interesin e askujt, as të Iranit, dhe do ta dëmtonte stabilitetin afatgjatë në rajon”, i tha Macroni Pezeshkianit gjatë një bisede telefonike, sipas njoftimit.

Presidenti francez bëri thirrje të ndalet “logjika e hakmarrjes” dhe të “mbrohen popullsitë civile”.

Druajtjet për shpërthimin e një lufte mes Iranit dhe Izraelit janë rritur javët e fundit, pas vrasjes në Teheran të Ismail Haniyehut, liderit politik të Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Irani dhe Hamasi e kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e tij. Haniyehu ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në inaugurimin e Pezeshkianit.

Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut, por as nuk e ka mohuar atë.

Hezbollahut, grupi militant libanez i mbështetur nga Irani, ka kërcënuar gjithashtu se do të hakmerret ndaj Izraelit, pasi autoritetet izraelite thanë se e vranë në Bejrut njërin prej komandantëve të Hezbollahut javën e kaluar.

“Irani duhet të përkushtohet për t’iu bërë thirrje aktorëve destabilizues, të cilët i mbështet, të vetëpërmbahen për ta shmangur përshkallëzimin”, tha Macron.

Më herët të mërkurën, Pezeshkian u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të Perëndimit ta ndalin mbështetjen për Izraelin.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
14:41 | 15/07/2026

Vrasja e dy emigrantëve në Teksas dhe Maine, Trump: Agjentët e ICE nuk do t’i ndalojnë kontrollet e automjeteve

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se agjentët federalë të emigracionit, ICE nuk do t’i japin fund ndalimeve dhe kontrolleve të automjeteve, një ditë...
14:16 | 15/07/2026