Mali i Zi hedh poshtë akuzat e Vuçiçit se zhvillon luftë hibride kundër Serbisë

15 Qershor 2026 | 11:53

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i përshkroi si të pabazuara akuzat se Podgorica zhvillon luftë hibride kundër Serbisë, duke vlerësuar se deklaratat e tilla pasqyrojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike në Beograd për ta pranuar Malin e Zi si shtet sovran.

Reagimi erdhi pas pretendimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Mali i Zi dhe mediat e tij marrin pjesë në veprime hibride kundër Serbisë.

Përmes një deklarate të postuar në platformën X, ministria malazeze vlerësoi se deklaratat e shpeshta nga shteti fqinj dëshmojnë mungesën e gatishmërisë së një pjese të strukturave politike për ta pranuar Malin e Zi si një shtet sovran dhe të barabartë, e jo si një hapësirë që duhet t’u rikthehet qendrave të imagjinuara politike.

Ajo shtoi se deklaratat e tilla, zakonisht, intensifikohen sa herë që Mali i Zi bën hapa para në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kur afrohen zgjedhjet.

“Ia lëmë publikut të vlerësojë nëse deklaratat e tilla duhen parë si hyrje në fushata të reja dezinformimi dhe presionesh politike, apo si përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet që nuk kanë asnjë lidhje me Malin e Zi”, thuhet në deklaratë.

Ministria malazeze rikujtoi se vendimi për rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi është përfundimtar, demokratik dhe i verifikuar ndërkombëtarisht në referendum, dhe shtoi se Mali i Zi dëshiron marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë.

Megjithatë, ajo theksoi se marrëdhëniet e tilla mund të ndërtohen vetëm mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe pranimit të realitetit, duke i hedhur poshtë pretendimet se Mali i Zi i ka marrë territor kujtdo.

Diplomacia serbe: Qarqe të caktuara në Mal të Zi veprojnë në mënyrë hibride kundër Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë tha se reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi përbën “konfirmim të natyrës hibride të veprimit të qarqeve të caktuara në Mal të Zi ndaj jetës politike në Serbi”.

Ministria serbe tha se akuzat e ashpra publike dhe përpjekjet për ta heshtur palën tjetër paraqesin një tentativë për ndikim të papërshtatshëm ndaj Serbisë, duke shtuar se për marrëdhëniet mes dy shteteve do të ishte shumë më e dobishme që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen përmes dialogut institucional dhe kanaleve diplomatike.

“Serbia nuk ka asnjë pretendim ndaj Malit të Zi dhe nuk e vë në dyshim shtetësinë e tij, por përfaqësuesit e saj kanë të drejtë të vënë në dukje dukuritë që cenojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe krijimin e vazhdueshëm të një atmosfere në të cilën Serbia paraqitet si problem dhe si justifikim për dështimet e brendshme politike”, thuhet në deklaratë.

Beogradi zyrtar bëri thirrje për punë të përbashkët mbi çështje me interes për qytetarët, si: bashkëpunimi ekonomik, lidhjet infrastrukturore dhe forcimi i besimit të ndërsjellë.

U theksua, po ashtu, se Serbia do të vazhdojë të ndjekë politika të përgjegjshme ndaj Podgoricës, por se pret të njëjtin nivel respekti dhe vlerësimi edhe nga pala tjetër.

Vuçiq: Kjo është një luftë e vërtetë hibride

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi më 14 qershor për Televizionin Prva të Serbisë se “mediat në Mal të Zi kanë pasur një rol të rëndësishëm në revolucionin me ngjyra në Serbi, ndërsa Mali i Zi zhvillon një luftë hibride kundër Serbisë”.

I pyetur se si e sheh sot situatën në Mal të Zi, Vuçiç tha se kjo është “çështje e tyre [malazeze]”, por shtoi se “e vetmja gjë për të cilën mund të flasë, është marrëdhënia e Malit të Zi me Serbinë”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA-ja ndalon importin e dërgesave të kompanisë kineze në Serbi

Agjencia Amerikane për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP) njoftoi të martën se ka lëshuar një urdhër për ndalimin e dërgesave të bakrit dhe produkteve...
10:34 | 17/06/2026

Gjykata e Strasburgut e refuzon ankesën e Dodikut kundër dënimit dhe shkarkimit të tij

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka hedhur poshtë si të papranueshme ankesën e Millorad Dodik kundër një vendimi të gjykatës...
22:00 | 16/06/2026

Raportuesi për Kosovën në PE: Duhet të marrë statusin e kandidatit për BE

Rruga evropiane e Kosovës dhe progresi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian kanë qenë në qendër të debatit në seancën plenare të Parlamentit...
21:37 | 16/06/2026