Nga Stefan Wolff
Një nga pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë është fakti se Kremlini ka humbur shumë ndikimin e tij në vendet ish-sovjetike. Kjo krijon mundësi për të kufizuar aftësinë e Moskës për të shfrytëzuar rolin dominues që kishte dikur për të çuar përpara qëllimet e luftës. Megjithatë, kjo do të thotë gjithashtu se Rusia ka të ngjarë të përpiqet të përshkallëzojë tensionet dhe konfrontimet në të gjithë rajonin.
Gjatë javëve të fundit, Moldavia ka qenë në qendër të përpjekjeve të tilla nga Kremlini. Dhe ky është vetëm një tregues se si Rusia e parashikon fazën tjetër të konfrontimit të saj me perëndimin.
Edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, kishte shenja se vendet e Azisë Qendrore kishin filluar të pretendonin më fuqishëm interesat e tyre individuale dhe kolektive, një prirje që është përshpejtuar që nga shkurti i vitit 2022. Veçanërisht, ndërsa roli i Kinës në rajon është rritur, pjesërisht si rezultat i zbrazëtirës së krijuar nga Rusia, SHBA ka rindezur marrëdhëniet e saj me partnerët kryesorë në Azinë Qendrore, veçanërisht Kazakistanin dhe Uzbekistanin, në një tjetër shenjë të zvogëlimit të staturës së Rusisë.
Në Kaukazin jugor, Turqia ka sfiduar dominimin e dikurshëm të Rusisë në rajon. Ankaraja e ka mbështetur hapur Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë (një klient rus) për rajonin e Nagorno-Karabakut. Kontrolli turk mbi infrastrukturën kryesore të tubacioneve, siç është gazsjellësi trans-anatolian i cili lidh rajonin e Shah Denizit të Azerbajxhanit me Gazsjellësin Evropian trans-Adriatik në kufirin greko-turk, ofron një alternativë kritike ndaj naftës dhe gazit.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian ka luajtur një rol më proaktiv si ndërmjetës në konfliktin midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kjo është në dëm të Moskës, e cila dikur ishte ndërmjetësi kryesor i fuqisë në këtë konflikt.
Kufijtë e ndikimit rus u bënë të dukshme në Gjeorgji kohët e fundit. Qeverisë atje, pas tre ditësh protestash gjithnjë e më të dhunshme, iu desh të tërhiqte një projekt-ligj në parlament që do të kishte kufizuar ashpër liritë civile dhe politike në mënyra që të kujtojnë ligjin e agjentëve të huaj të Rusisë .
Më tej, Rusia gjithashtu duket se e ka tepruar dorën e saj në Ballkan. Qeveria serbe, një nga aleatët e vjetër të Moskës në rajon, nuk tregoi asnjë hezitim në shkurt kur goditi protestuesit pro-Kremlinit që u përpoqën të sulmonin ndërtesat qeveritare në kryeqytetin Beograd.
Për shkak të kostove të luftës në Ukrainë, Rusia mund të jetë e kufizuar në masën në të cilën mund të frenojë – apo edhe të ndryshojë – këtë humbje të ndikimit. Por do të ishte e gabuar dhe e rrezikshme të nënvlerësoheshin përpjekjet ruse për ta bërë këtë. Kjo ka qenë më e dukshme tashmë në Moldavi. Aty, Rusia është përfshirë në përpjekjet e zgjatura të destabilizimit që synojnë minimin e qeverisë pro-perëndimore të Maia Sandu dhe pengimin e përpjekjeve të vendit për t’u bashkuar me BE.
Përpjekjet e Rusisë për të krijuar jostabilitet në Moldavi dhe në rajonin e shkëputur të Transnistria mbështeten kryesisht në dezinformata, duke përhapur thashetheme të tilla si ideja se Moldavia dhe Ukraina kanë komplotuar për të pushtuar Transnistrinë. Kremlini ka qenë gjithashtu në gjendje të shfrytëzojë një krizë ekonomike në Moldavi – e shkaktuar nga inflacioni i lartë i shkaktuar nga lufta në Ukrainë – dhe të hedhë dyshime mbi kompetencën e qeverisë dhe legjitimitetin e kursit të saj pro-evropian.
Moska ka luajtur gjithashtu me pasigurinë, duke pretenduar një sulm të afërt ukrainas në Transnistri ose përdorimin e një “bombë të pistë” nga Ukraina në territorin e shkëputur. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ekziston gjithashtu rreziku që çfarëdo asetesh ushtarake që Rusia kontrollon në Transnistri mund të përdoret për të krijuar një front të dytë në luftën kundër Ukrainës.
Ndërsa kjo gjë nuk ka shumë gjasa, ky skenar e ka detyruar Ukrainën të përqendrojë disa nga forcat e saj në kufirin me Transnistrinë. Sepse sado i vogël për momentin, ekziston rreziku i përshkallëzimit të paqëllimshëm që mund të përfshijë shpejt Transnistrinë dhe Moldavinë dhe që mund të tërheqë Ukrainën dhe Rumaninë fqinje, një vend anëtar i NATO-s dhe një aleat kyç i qeverisë së Sandu, dhe që ka lidhje të forta historike me Moldavinë.
Rusia ka investuar shumë në përpjekjet e saj për destabilizimin e Moldavisë. Ndërsa mund të duket sikur ky investim nuk ka pasur shumë përfitime, ky do të ishte një përfundimi i gabuar. Moska e ka pasur relativisht të lehtë të përfitojë nga zhgënjimet që ndjejnë shumë moldavë të zakonshëm, nëpërmjet përhapjes së një narrative që e devijon fajin dhe që e përkeqëson frikën dhe pasigurinë.
Rusia i ka përdorur me kujdes marrëdhëniet me aleatët e saj vendosur në establishmentinpolitik moldav, siç është Irina Vlah, udhëheqësja e zgjedhur kohët e fundit në krye të rajonit autonom Gagauzian apo partia opozitare pro-Moskës Shor. Kjo do të thotë se Kremlini ruan një ndikim jo proporcional malinj në një vend me institucione tepër të dobëta.
Këto leva të ndikimit rus janë të spikatura në Moldavi, por ato ekzistojnë edhe diku tjetër. Dështimi i fundit në Gjeorgji, nuk do të thotë se Rusia do të shmangë përdorimin sërish të këtij ndikimi. Përkundrazi, edhe disfata që pësoi koalicioni pro-rus i partive politike, Ëndrra Gjeorgjiane, në lidhje me “ligjin e agjentëve të huaj”, që tashmë është tërhequr, i përshtatet axhendës së politikës së jashtme që fokusohet mbi të gjitha në nxitjen e destabilitetit.
Një zone post-sovjetike e paqëndrueshme mund të mos jetë zgjedhja e parë e Moskës. Gjithsesi nga këndvështrimi i Kremlinit, ajo është më e preferueshme sesa një “lagje” ku Rusia është e rrethuar nga vende të forta, të mirë-qeverisura me një orientim pro-perëndimor.
Një perspektivë e tillë nuk premton gjëra të mira për vendet që janë shumë të varura nga Rusia ekonomikisht apo ushtarakisht, përfshirë Armeninë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin. Dhe as për vendet me komunitete të rëndësishme etnike ruse, si në Kazakistan, apo edhe në vendet anëtare të NATO-s si Letonia dhe Estonia.
Kjo i bën edhe më domethënëse ngjarjet aktuale në Moldavi. Dhe nëse ky është një test i një versioni të ri të manualit të vjetër rus të destabilizimit të fqinjëve, është akoma më e rëndësishme që të ndalohet plani djallëzor i Kremlinit në Moldavi.| Marrë nga The Conversation