NATO nis stërvitjet në Finlandë, Norvegji dhe Suedi
NATO-ja i ka nisur të hënën stërvitjet për ta mbrojtur territorin e vet nordik, të porsazgjeruar, ku do të marrin pjesë më shumë se 20.000 ushtarë nga 13 vende, në ushtrimet që zgjasin gati dy javë në rajonet veriore të Finlandës, Norvegjisë dhe Suedisë.
Finlanda merr pjesë me mbi 4.000 ushtarë në stërvitjen “Përgjigja Nordike 2024”, që nënkupton se ajo do të bëhet vendi i parë i ri i NATO-s me pjesëmarrjen më të madhe në një ushtrim të aleancës ushtarake, sipas ushtrisë finlandeze.
“Për herë të parë, Finlanda merr pjesë si anëtare e NATO-s në ushtrimin e mbrojtjes së përbashkët të të gjitha rajoneve të aleancës”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Finlandës në një komunikatë.
Forcat e Armatosura të Suedisë thanë se 4.500 pjesëtarë nga forcat ajrore, ushtria dhe marina e saj do të marrin pjesë në stërvitje, e cila po mbahet në kushte dimërore arktike.
Finlanda, e cila e ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë me Rusinë, iu bashkua NATO-s në prill 2023, pas një vendimi historik duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak disa dekadësh. Fqinja e saj, Suedia është duke i përfunduar formalitet për t’u futur në aleancën ushtarake si anëtarja e 32-të, pasi kërkesa e saj për anëtarësim është ratifikuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.
Suedia pritet që zyrtarisht të jetë pjesë e NATO-s gjatë këtij muaji.
Finlanda dhe Suedia kishin zhvilluar marrëdhënie të forta me NATO-n pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por opinioni publik kishte qenë fuqishëm kundër anëtarësimit të plotë, derisa Rusia e pushtoi Ukrainën më 2022.
Neutraliteti ushtarak shihej si mënyra më e mirë për t’i shmangur tensionet me Rusinë, fqinjin e tyre të fuqishëm në rajonin e Detit Baltik. Por, agresioni rus ia ndryshoi mendjen opinionit publik në të dyja vendet, dhe ato aplikuan për t’u bërë anëtare të NATO-s në maj 2022.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë