Ndryshimi fillon nga të kuptuarit
Sot po filloj një emision shpjegues për politikën dhe ekonominë të titulluar “Me pak fjalë” në Euronews Albania, me dëshirën për të dhënë një ndihmesë modeste për interesin publik.
Kur shkruajmë e kur ndajmë në publik ato që mendojmë, e bëjmë në radhë të parë për egoizëm. Duke huazuar fjalët e tjetërkujt, “e bëjmë nga dëshira për t’u dukur të zgjuar”, për t’u ndjerë të vlerësuar, nga dëshira që të flitet për ne.
Por kaq nuk mjafton. Nuk mund t’i hysh një mundimi të tillë pa kërkuar diçka përtej vetes; pa thirrjen për t’iu përgjigjur një nevoje më të madhe, për t’u bërë pjesë e një përpjekjeje shoqërore.
Sot, shoqëria jonë ndjen urgjencën e ndryshimit, por ndryshimin nuk e kërkon brenda vetes. E kërkon tek të tjerët, tek ndonjë hyjni, superfuqi, apo mbinjeri.
Kur u ndamë nga komunizmi, në vitin 1990, ne përqafuam dogmën demokratike, por jo frymën dhe vetëdijen demokratike. Prandaj, sot kemi demokraci në emër dhe simbole, por jo në përmbajtje.
Kemi ligje, por nuk kemi shtet ligjor. Shesim e blejmë, por nuk kemi treg të lirë. Në vitin 1990, ne menduam se mjaftonte të rrëzonim mbretin dhe çdo gjë do të shkonte mirë. Po gjërat nuk shkuan mirë.
Në vend të reflektonim, ne vazhduam të bëjmë të vetmen gjë që bëjmë gjithmonë—rrëzuam prapë mbretin, e çdo herë brohoritëm sërish “Rroftë Mbreti”. Ne vazhdojmë që lirinë dhe demokracinë t’i kuptojmë njësoj si në vitin 1990. Dhe politikën e bëjmë ende si në vitin 1990.
Edhe kur provojmë të ikim nga gjendja ku jemi, e bëjmë me të njëjtën mendësi, e të njëjtën qasje që na ka sjellë deri këtu ku jemi. Por ndryshimi kërkon mendësi të re. Kërkon shpjegime të reja. Kërkon ide të reja. Më ka mbetur në mendje një ngjarje nga viti 1991.
Ecja një pasdite me një mikun tim të huaj rrugëve të Tiranës dhe i flisja me siguri dhe energji se sa shpejt do ndryshonte Shqipëria, se ne ishim një vend pa probleme etnike e sociale, se kishim një popullsi e re dhe etur për punë, një pozitë gjeografike fantastike, dhe pasuri të pafundme natyrore.
Duke ecur, arritëm në një kryqëzim dhe u ndalëm para semaforit të kuq. Por ishim të vetmit që u ndalëm—kalimtarët e tjerë u turrën në anën tjetër. Atë çast, miku im më kapi nga dora për të më ndërprerë dhe më tha: “Neritan, harroji pasuritë e vendit dhe gjeografinë. Shqipëria do ndryshojë vetëm kur njerëzit të ndalojnë para semaforit të kuq.”
Atëherë, këto fjalë mu dukën qesharake. Por sot kanë kaluar tridhjetë vjet dhe ne ende nuk ndalojnë para semaforit të kuq, ndërkohë që pasuritë natyrore thuajse i kemi shkatërruar.
Një vend, mund të ndërtojë rrugë e semaforë në pak vite. Por duhet ndryshim epokal në mendësi dhe kulturë që njerëzit të mësohen të ndalojnë para semaforit. Ky ndryshim fillon me informimin, me të kuptuarit. Sepse nuk mund të ketë demokraci, nuk mund të ketë liri, pa njerëz të informuar.
Ne shqiptarët mundemi të kemi një të ardhme të mirë e të ndritur në vendin tonë. Por për këtë duhet të dimë të zgjedhim rrugën e duhur dhe të gjejmë kurajën për të ecur në këtë rrugë.
Me këtë emision, ne duam të ndihmojmë sado pak për këtë qëllim. Do përpiqemi të shpjegojmë për të ditur. Të shpjegojmë për të kuptuar. Thjesht, dhe me pak fjalë.
“Rrezik përçarje nëse duan të ulen të gjithë te vendi i shoferit” Kikia heq paralele me protestën
“Propozova të shpallej zonë e mbrojtur”,Bino: Nuk jemi kundër investimeve, teli me gjemba na kujtoi kampet
“Kam bërë gabime” Çipa: Berisha e tha hapur, lideri mban peshën e dështimeve
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta