Ndryshimi i Kodit Zgjedhor, si ndikon formula e re për shpërndarjen e mandateve

25 Prill 2021 | 06:12

Gjatë vitit 2020, Kodi Zgjedhor u ndryshua dy herë, duke bërë fillimisht një riorganizim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe implementimin e teknologjisë në zgjedhje dhe më pas për të ndryshuar formulën e shpërndarjes së mandateve, me hapjen e listave, duke shtuar si element votën preferenciale, krahas votës për partinë.

Për herë të parë në këto zgjedhje do të ketë dy lloje numërime votash, fillimisht ajo për partinë dhe më pas për kandidatët të cilët do marrin mandatet që një parti e caktuar ka fituar në çdo qark. Ndryshe nga tri zgjedhjet e mëparshme parlamentare, kur përcaktimi se cili do të jetë deputet varej nga pozicioni që kandidatët kishin në listë dhe numri i mandateve që një parti fitonte në një qark të caktuar, këtë herë teorikisht, gara është e hapur për të 153 kandidatët që janë futur në lista.

Për kandidatët e partive të mëdha që janë të renditur në krye të listave për çdo qark, brenda asaj që quhet si zonë e sigurt (llogaritet mbi bazën e pritshmërive për mandate që një parti ka në atë qark) gara për t’u bërë deputet është më e thjeshtë. Ndërsa për ata që janë të renditur poshtë listës fituese, ka dy mënyra që të marrin mandatin e deputetit. Ata duhet të marrin të paktën një votë më shumë sesa mesatarja e votave që ajo parti do marrë për çdo mandat që të bëhet deputet, duke parakaluar të fundit që do të jetë në listën fituese.

Kjo mesatare votash prodhohet nga pjesëtimi i numrit të votave që ajo parti do të marrë në atë qark, me numrin e mandateve që do të fitojë. Përveç kësaj mënyrë, një kandidat i renditur poshtë listës fituese, mund të marrë mandatin e deputetit nëse do të arrijë që të kalojë pragun, i cili për çdo qark është 10 mijë e 1 vota preferenciale. Për rastet kur herësi do të jetë më i vogël se pragu, do të merret në konsideratë herësi, ndërsa për rastet kur herësi është më i lartë se pragu, do të merret në konsideratë pragu.

Për ilustrim nga zgjedhjet e 2017-ës, në Qarkun e Tiranës, ku numri total i votuesve ishte 423.717 mijë, për një mandat u nevojitën 12.462 vota. Kështu, nëse pjesëmarrja do të jetë në të njëjtat nivele, një kandidati poshtë listës fituese në Tiranë në partitë e mëdha do i mjaftojnë 10 mijë e 1 vota preferenciale për të parakaluar atë që do rirenditet i fundit nga lista e fundit, gjithmonë nëse kandidatët e listës fituese nuk kanë marrë mbi 10 mijë vota të gjithë.

Ndërsa në qarkun e Vlorës, u deshën rreth 9230 vota preferenciale për të prodhuar një mandat. Pra edhe nëse këtë qark pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë në këto nivele, një kandidati poshtë listës fituese do i duhen më pak se 10 mijë e një vota preferenciale për të parakaluar të fundit e listës fituese të partisë së tij.

Vështirësitë për marrjen e mandatit rriten akoma edhe më shumë për një kandidat të pavarur, i cili mund të marrë votat e mjaftueshme për një mandat në qarkun ku kandidon, por ato vota duhet të jenë jo më pak se 1% e votave në rang kombëtar.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit | E Vërteta me Fjalë

Në emisionin “E Vërteta me Fjalë” në Euronews Albania, Baton Haxhiu, autori i emisionit analizon fenomenin e votave të pavlefshme dhe sipas tij ky është...
11:57 | 08/05/2021

Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi që kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, u përdor për herë të parë vota preferenciale. Por, listat nuk ishin plotësisht të hapura pasi siç e tregon...
19:36 | 03/05/2021

Astrit Patozi jep dorëheqjen si kryetar i Bindjes Demokratike

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka dhënë dorëheqjen si drejtues kësaj force politike pas rezultatit zhgënjyes që mori në zgjedhjet parlamentare të 25...
13:00 | 02/05/2021