Kryetari i Bordit të Fondacionit shqiptaro-amerikan për Zhvillim, Michael Granoff thotë se në Parkun Kombëtar të Butrintit nuk do të ketë ndërtime hotelerie apo tregtare.
Granoff gjatë një interviste për ‘Zërin e Amerikës’ thotë se paratë e mbledhura ‘do të shkojnë për të ndërtuar një qendër vizitorësh, për të ndërtuar korsi biçikletash dhe rrugë për hiking’.
“Unë mund t’u qetësoj që zona, në të cilën ne do të luajmë një rol, nuk ka asnjë veprimtari tregtare dhe nuk do të ketë kurrë veprimtari tregtare, nuk do të ketë asnjë hotel në atë zonë, pra s’do të ketë veprimtari tregtare të asnjë lloji. E vetmja ndërtesë, që ne po planifikojmë të ndërtojmë, është qendra e vizitorëve”, u shpreh ai.
Granoff tha se menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit do të jetë për 10 vitet e ardhshme mbi bazë të një marrëveshje të Fondacionit me Ministrinë e Kulturës. Ai thotë se paratë që hyjnë në Butrint qëndrojnë në të,
Sipas tij, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë dhe Fondacioni do të kontribuojë duke dhuruar dhe 5 milionë dollarë për mbrojtjen e këtij parku.
Për ndërtimet në zonat që u hoq nga pjesa e mbrojtur e Parkut të Butrintit, Granoff thotë se është përgjegjësi e qeverisë shqiptare mbrojtja e territorit.
“Çfarë ndodh përtej kësaj nuk është pjesë e punës sonë dhe duhet të kujtoni se ne nuk jemi qeveria dhe ne nuk kemi kontroll mbi tokën në këtë vend, siç ne nuk mund të kontrollojmë nëse dikush do të ndërtojë në plazhin e Durrësit”, tha ai.
Michael Granoff ndër të tjera tha se ‘një ekspert i arkeologjisë ka bërë një parashikim që në 50 vitet e ardhshme ¼ ose 1/3 e Butrintit do të jetë nën ujë’.