Nesër nis Ramazani, kreu i KMSH: Muaji i solidaritetit dhe vëllazërisë

28 Shkurt 2025 | 10:12

Besimtarët myslimanë në mbarë botën dhe në Shqipërinë nisin nesër muajin e shenjtë të Ramazanit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët për një muaj Ramazani sa më të paqtë e të begatë.

Përmes një videomesazhi Spahiu e cilëson Ramazanin si një muaj të bekuar, një mundësi për të rritur përkushtimin shpirtëror dhe për të forcuar ndjenjën e solidaritetit.

Mesazhi i plotë

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare,

Nesër, më 1 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, një muaj i bekuar reflektimi, përkushtimi dhe pastrimi shpirtëror.

Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.

Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.

Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.

Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar.

Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”

(Sureja El-Bekare, ajeti 183)

Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale.

Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë.

Lusim Allahun Fuqiplotë që të na japë forcë, përkushtim dhe sinqeritet për ta jetuar këtë muaj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfituar nga mirësitë dhe begatitë e tij të shumta.

Gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Hita mbledh drejtuesit e Policisë në qarqe: Prioritet siguria gjatë sezonit turistik dhe goditja e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e...
14:09 | 15/07/2026

Amnistia penale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve: U liruan 553 persona, 863 të dënuar përfituan zbritje të dënimit

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dalë me një njoftim lidhur me lirimin e të burgosurve që kanë përfituar nga amnistia penale. 553 persona të...
13:26 | 15/07/2026

“U miratua marrëveshja me Slloveninë për sigurimet shoqërore”, ministrja Ibrahimaj: Po negociohen edhe 4 marrëveshje të tjera

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, në një deklaratë për mediat, njoftoi se është miratuar...
13:15 | 15/07/2026