Nga “huligan” në president, kush është “miku” i Trump që fitoi zgjedhjet në Poloni

2 Qershor 2025 | 10:19

Kandidati konservator, Karol Nawrocki, është fituesi i balotazhit në zgjedhjeve presidenciale në Poloni, duke siguruar 50.89% të votave kundrejt rivalit liberal, kryetarit të Bashkisë së Varshavës Rafał Trzaskowski, i cili mori 49.11%.

Fitorja e Nawrockit në një garë jashtëzakonisht të ngushtë theksoi ndarjet e thella politike dhe ideologjike në Poloni, vend i cili ndodhet në një pikë kyçe gjeopolitike në krahun lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Raundi i dytë i zgjedhjeve erdhi pas një beteje dyjavore intensive pas raundit të parë, duke mbajtur në ankth elektoratin polak gjatë gjithë natës të së dielës. Fillimisht, sondazhet favorizonin Trzaskowskin, por rezultatet përfundimtare i përmbysën pritshmëritë.

Zgjedhja e Nawrockit pritet të shënojë një rikthim drejt një politike më nacionaliste. I mbështetur fuqimisht nga presidenti amerikan Donald Trump, Nawrocki ka qenë një figurë qendrore në përpjekjet për të promovuar vlerat tradicionale dhe narrativat historike e patriotike.

Trump e bëri të qartë më herët gjatë fushatës se donte Nawrocki-n si president të Polonisë.

Edhe pse kryeministri në Poloni gëzon pushtetin ekzekutiv, roli i presidentit është kyç për politikën e jashtme dhe legjislacionin, me kompetenca për të vendosur veto. Ky aspekt pritet të krijojë sfida të reja për kryeministrin aktual Donald Tusk, i cili erdhi në pushtet në fund të vitit 2023 në krye të një koalicioni të gjerë.

Gjatë presidencës së Andrzej Dudës, Tusk u përball me pengesa të shumta për të zbatuar reformat e premtuara, përfshirë çështje të ndjeshme si rishikimi i ligjit për abortin dhe depolitizimi i gjyqësorit. Me zgjedhjen e Nawrockit, rruga për këto reforma bëhet edhe më e vështirë.

Zgjedhja e tij është përshëndetur nga figura të larta të së djathtës amerikane. Javën e kaluar, grupi konservator CPAC mbajti për herë të parë një konferencë në Poloni, ku Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi Noem, shprehu mbështetjen e fortë për kandidatin konservator.

Sipas vëzhguesve politikë, presidenca e Nawrockit pritet të jetë vendimtare për drejtimin që do të marrë Polonia në raport me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe çështjet e brendshme që kanë polarizuar opinionin publik në vitet e fundit.

Aktualisht, rreth 10,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Poloni, dhe analistët vlerësojnë se zgjedhja e Nawrockit mund të thellojë bashkëpunimin ushtarak me SHBA-në, veçanërisht gjatë administratës Trump në Uashington.

Pa përvojë të mëparshme në politikë dhe jo anëtar i partisë deri në prag të fushatës, Nawrocki u zgjodh si kandidat nga Ligj dhe Drejtësi në përpjekje për një “fillim të ri” pas tetë viteve në pushtet dhe humbjes së vitit 2023. Deri para kandidimit, ai drejtonte Institutin e Kujtesës Kombëtare, një institucion i njohur për interpretimin nacionalist të historisë polake.

Në këtë rol, ai u bë i njohur për fushatat e tij për të hequr monumentet sovjetike nga hapësirat publike, një veprim që solli reagime të ashpra nga Rusia, e cila e përfshiu në listën e saj të personave të padëshiruar.

Mbështetësit e përshkruajnë si një figurë që mishëron vlerat tradicionale dhe patriotike. Ai ka fituar mbështetje nga qarqet konservatore që kundërshtojnë abortin dhe dukshmërinë e komunitetit LGBTQ+. Për shumë prej tyre, Nawrocki përfaqëson kthimin në një “normalitet” që ata besojnë se është cenuar në dekadat e fundit.

Pavarësisht fitores, rruga e Nawrockit drejt presidencës nuk ka qenë pa polemika. Mediat polake kanë raportuar për kontakte të mëparshme me figura të krimit të organizuar, me të cilat thuhet se është njohur gjatë kohës kur punonte si roje sigurie apo boksonte në rini.

Në vitin 2009, Nawrocki mori pjesë në një përleshje të madhe mes tifozëve rivalë të futbollit në Gdansk, një incident ku u përfshinë rreth 140 persona dhe që çoi në disa dënime penale. Ai e ka përshkruar episodin si një “formë fisnike luftimi”, një deklaratë që u kritikua ashpër nga kundërshtarët e tij politikë.

Përveç kësaj, media ka raportuar lidhje të tij të supozuara me personazhe nga bota e prostitucionit, por këto akuza nuk janë vërtetuar zyrtarisht.

Për kritikët, të gjitha këto elemente e bëjnë Nawrockin të papërshtatshëm për të përfaqësuar Poloninë në arenën ndërkombëtare. Por për shumë votues të djathtë, këto akuza janë thjesht sulme të qëllimshme nga mediat dhe establishmenti liberal dhe kanë prodhuar efektin e kundërt: një grumbullim në mbështetje të kandidatit që e shohin si “njeri të thjeshtë”, të papolitizuar dhe të gatshëm për të sfiduar rendin e vjetër.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump: Tarifa 100% për vendet evropiane që vendosin taksën dixhitale për kompanitë amerikane

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi të premten se do të vendosë tarifa 100% për të gjitha mallrat nga çdo vend që vendos një taksë mbi shërbimet dixhitale për...
19:50 | 26/06/2026

Izraeli dhe Libani nënshkruajnë sonte në Uashington marrëveshjen e armëpushimit

Shpallja e marrëveshjes kornizë midis Izraelit dhe Libanit për armëpushimin konsiderohet çështje orësh. Sipas informacioneve, njoftimet – dhe ndoshta nënshkrimi – do të bëhen sot, të premten në Uashington...
19:33 | 26/06/2026

“Nuk e braktise vajzën edhe në frymën e fundit”, deklarata rrënqethëse e bashkëshortit që humbi gruan nga tërmeti

Një nënë venezueliane ka vdekur ndërsa po shpëtonte vajzën e saj gjatë tërmeteve që goditën vendin, sipas bashkëshortit të saj, futbollistit Héctor Bello, dhe mediave...
19:04 | 26/06/2026