Nis gjyqi ndaj ushtarit amerikan në Rusi

6 Qershor 2024 | 15:25

Gjyqi ndaj rreshterit të ushtrisë amerikane, Gordon Black – i cili u arrestua në qytetin rus Vladivostok në maj – ka filluar të enjten, në një rast që mund t’i ndërlikojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit.

Black u arrestua në fillim të majit dhe fillimisht u akuzua se i kishte plaçkitur 10.000 rubla [110 dollarë] nga e dashura e vet ruse, Aleksandra Vashchuk. Më vonë, ai u akuzua edhe se e kapi atë me forcë në qafë gjatë një grindjeje. Ajo e cilësoi këtë si kërcënim për jetën e saj.

Nëse shpallet fajtor, Black, 34 vjeç, mund të dënohet deri me shtatë vjet burgim.

Gjykata e Qarkut e Vladivostokut e nisi gjykimi ndaj tij më 6 qershor, ku u morën në pyetje Vashchuk dhe një dëshmitar.

Vashchuk i kërkoi gjykatës të mos e dërgojë Blackun në burg, duke thënë se ai ka nevojë për ndihmë psikiatrike.

“Ai është thjesht një njeri i palumtur. Ai nuk e meriton burgun. Ai meriton tretman, të cilin nuk ia ofroi vendi i vet, edhe pse e dinin për gjendjen e tij. Ky njeri ka nevojë për ndihmë. Po, ai e kreu një krim, por ai nuk bëri dicka aq të tmerrshme për t’u burgosur”, tha Vashchuk.

Seanca përfundoi me dëshminë e Vashchuk, ndërsa ajo e radhës do të mbahet më 17 qershor.

Autoritetet amerikane thanë më herët se Black ishte arrestuar në Rusi dhe se akuzohej për plaçkitje nga një grua. Black shërbente në ushtrinë amerikane në Korenë e Jugut dhe pritej të kthehej në Teksas, por zgjodhi të udhëtonte në Rusi, sipas zyrtarëve amerikanë.

Disa javë më vonë, autoritetet ruse thanë se një shtetas tjetër amerikan, i identifikuar si William Russell Nycum, u arrestua në fund të prillit nën akuzat për “huliganizëm” dhe alkool, në një rast të ndarë. Ai po mbahej në një qendër ndalimi në Moskë.

Arrestimi i tyre ka ngritur dyshime nëse autoritetet ruse po i ndalojnë amerikanët me qëllim për t’i përdorur për shkëmbim të burgosurish, në një kohë mosmarrëveshjesh së mëdha mes Moskës dhe Uashingtonit për luftën në Ukrainë dhe për çështje të tjera të sigurisë ndërkombëtare.

Ndalimi i Blackut dhe Nycumit e shton listën e zyrtarëve amerikanë që po mbahen në Rusi nën rrethana të ndryshme dhe po ndodh derisa tensionet mes Moskës dhe Uashingtonit janë në nivelin më të lartë prej Luftës së Ftohtë.

Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e vitit të kaluar, nën akuzën se kishte dështuar të regjistrohej si agjente e huaj, në bazë të ligjit ndëshkues rus që shënjestron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, si dhe gazetari i The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të cilët Rusia i arrestoi për akuza, të cilat ata dhe punëdhënësit e tyre i hedhin poshtë si të nxitura politikisht.

Më 2020, amerikani Paul Whelan u shpall fajtor dhe u dënua me 16 vjet burgim në Rusi për akuzat për spiunazh. Ai dhe Qeveria amerikane i kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat kundër tij.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se rastet e Blackut dhe Nycumit nuk janë politike dhe asnjëri prej tyre nuk akuzohet për spiunazh, shkruan REL.

Departamenti amerikan i Shtetit në shtator 2023 i paralajmëroi qytetarët amerikanë të mos udhëtojnë në Rusi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik...
18:29 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
18:03 | 15/07/2026

Mbi 900 viktima nga vala e të nxehtit në Holandë

Më shumë se 900 persona humbën jetën në Holandë gjatë valës ekstreme të të nxehtit që goditi vendin nga 22 qershori deri më 5 korrik,...
17:33 | 15/07/2026