Një ditë me Adrian Pacin, videoartisti flet për Arthouse dhe krijimtarinë e tij

2 Janar 2021 | 10:52

Diku në qendër të qytetit të Shkodrës, në një rrugicë ndodhet “Arthouse” i Adrian Pacit dhe Melisa Pacit. Përballë pallateve të lartë, produkt i transformimit urban, shtëpia e artit, dalë nga dora e një arkitekti italian si për t’i shpëtuar këtij identiteti të ri, ruajti formën e kësaj ndërtese dykatëshe me gurë.

Teksa hapet dera, i zoti i shtëpisë, një artist i njohur ndërkombëtarisht, na pret në një ditë të freskët dhjetori. Mbi barin e njomë nga koha e lagësht ngjyrë gri, përtej xhamave, na fton në një rrugëtim të shkurtër në shtëpinë e tij, në shtëpinë ku ndërthuret historia, kujtesa, mendimi jetësor, intimiteti, ku dialogohet për të gjitha dimensionet e artit, atje ku artisti shpalos vetveten dhe zhvillon instiktin e reflektimit.

Mure të mbushura me piktura e vizatime, një librari për artin kontemporan por jo vetëm, dhe një korridor i ngushtë në kat të dytë që të lidh me kujtimet, pikturat e të atit, Ferdinand Pacit, një çentro e punuar ne mozaik si për të gdhendur aty një copëz nga e kaluara.

Në pesë vjet, Arthouse është kthyer në pikëtakimin e artit vendas me atë ndërkombëtar, aty ku bashkëbisedimi merr hov, aty ku rroken vizionet krijuese.

 “Bashkë me projektin arkitektonik nisi projekti Arthouse si një vend ku shtëpia dhe arti, pjesa private dhe pjesa publike, pjesa lokale dhe pjesa ndërkombëtare do të ndërvepronin. Arthouse ka lindur pesë vjet më parë me një ekspozitë ndërkombëtare, e artistë ndërkombëtarë,” – tregoi Adrian Paci.

Paci është sot një artist që ka ekspozuar në bienalet dhe ekspozitat më të famshme botërore. Në punët e tij përmes simbolikave përcjell mesazhe të forta, është artisti që kthen në art kujtesën e vendlindjes e të fëmijërisë si dhe problemet e saj sociale por dhe përvojën në vend të huaj.

Pikënisja e video artit për Pacin ka një histori të veçantë, marrëdhënia me kamerën zë fill në 1997. Videoja solli idenë e dialogut të artistit me diçka dhe kamera ridimensionoi marrëdhënien e tij me gjuhë të njohura më parë për të, si piktura, dhe vizatimi. Si një dëshmitar i ngjarjeve të vitit të mbrapshtë, Paci e ktheu këtë dëshmi në narracion, aktori në këtë rast ishte e bija vetëm 3 vjeç.

“Video arti tek unë, nuk ka lindur si një dëshirë për të eksperimentuar gjuhën e artit në vetvete. Në vitin 97’ ne ikëm nga Shqipëria me time shoqe dhe 2 vajzat e vogla dhe e kishim lënë Shqipërinë në një situatë të vështirë. Vajza e madhe që ishte vetëm 3 vjeçe kishte përjetuar traumën e anarkisë. Një ditë në Milano e gjej që po i tregon kukullave të veta disa përralla. Në këto përralla ajo bashkonte dëshirën të dëfrehej dhe të shpikte me memorien që kishin lënë ngjarjen e Shqipërisë. Ndjeva që ato tregime kishin diçka të fortë, sepse bashkohej fiksioni, dëshira për të shpikur, loja e hareshme me momentin tragjik të 97-tës. Dhe vendosa që këtë histori ta regjistroja. Në atë moment e kuptova që me penelin dhe lapsin nuk mund të bëja gjë përballë kësaj historie dhe i kërkova një mikut tim të më jepte një videokamera. Aty lindi marrëdhënia ime e parë me këtë mjet,” – tregoi Paci.

Prej shumë vitesh tashmë artisti shkodran prezanton këtë zhaner në skenat e artit perëndimor, si për të ruajtur të gjallë urën e komunikimit mes artit shqiptar dhe atij bashkëkohor.

Paci paraqet pakëz Shqipëri para syve të artistëve dhe artdashësve të huaj, ndërsa për shqiptarët emri i tij asociohet me shkrimin për shembjen e Teatrit Kombëtar, ku godet fort kryeministrin Edi Rama, që dikur ishte pedagogu i tij.

Në të vetmen shtëpi në Shqipëri ku ndërthuret intimiteti me artin shumë dimensional u rrëfyen vlerat që ka një artist i madh nga ku buron brishtësia, sinqeriteti dhe thjeshtësia, në këtë rrugice që mban emrin At Shtjefen Gjecovi, në Arthouse të Adrian Pacit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nga Gjermania në Korçë, turistët mësojnë hapat e valleve shqiptare

Korça po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacionin ku turistët nuk njihen vetëm me historinë, muzeumet dhe kulinarinë, por edhe me traditat që...
10:12 | 02/06/2026

“Qiell i hapur, mendje të hapura, rikthehet DEA Open Air, 40 filma nga 25 vende në garë

Nën moton “Qiell i hapur, mendje të hapura” rikthehet në Tiranë edicioni I 13-të I Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”. Pjesë e këtij...
17:52 | 01/06/2026

Komedia “Sonte do darkojmë në shtrat” ngjitet në skenën e teatrit në Gjirokastër

Premiera e komedisë “Sonte do darkojmë në shtrat” është shfaqur në teatrin e Gjirokastrës, duke tërhequr interesimin e publikut dhe artdashësve të qytetit. Vepra e...
20:22 | 31/05/2026