Një shfaqje e guximshme në Teatrin Eksperimental, ‘Hello, I am Mephisto’
Teatri Eksperimental e ka hapur vitin me një shfaqje të guximshme “Hello, I am Mephisto”.
Shfaqja ka në thelb Faustin e Gëtes, por nuk i qëndron besnike as tekstit e as klasicizmit të librit. Skenari përzien pasazhe nga Fausti i Gëtes, Mefistofeli i Klaus Manit dhe një poezi të Musine Kokalarit, poete e dënuar me 25 vjet burg nga regjimi komunist.
Të gjitha këto pjesë i lidh ajo që i sugjerohet publikut që në titull, pakti mefistofelian që bëri Fausti, ‘kompromisi me djallin’ për interesa të përkohshme.
Skenaristët Klaudia Piroli dhe Jeton Neziraj janë kujdesur që pasazhet të vijnë të përshtatura dhe të harmonizuara në mënyrë të rrjedhshme dhe domethënëse. Neziraj luan një rol të rëndësishëm në teatrin e Kosovës, por edhe më gjerë në rajon, duke sjellë risi përmes skenareve të tij.
Përtej të gjithë magjisë së shfaqjes, ngjyrave të ndezura, mprehtësisë së tekstit, koreografisë së zhdërvjellët, përtej aktrimit të gjallë të aktorëve, ajo çfarë shënoi diçka ndryshe është trajtimi i diktaturës komuniste në Shqipëri.
Duket sikur kjo shfaqje guxoi të bënte atë që i ka munguar publikut shqiptar, sjelljen e të vërtetave të komunizmit në një skenë teatri.
Një nga skenat hapet me poezinë e Musine Kokalarit “Rreth pjatës”, që rrëfen varfërinë ekstreme në të cilën ndodhej populli shqiptar gjatë sistemit komunist, në kohën kur ushqeheshin me tollona. Punonin shumë, varfëroheshin shumë. Mirëpo e kundërta ndodhte për elitën, si në çdo diktaturë.
Aktoret hedhin perime në skenë, ndërsa futet Ema Andrea në rolin e pushtetares, me një gote vere në dorë. Ajo ulet përdhes, e me delikatesë ushqehet me perimet, shijon verën dhe ndez një cigare. Pas saj, aktorët kalojnë me radhë me qese bosh në duar, derisa me ato qese mbysin veten. Pas shpinës së pushtetarëve të tejngopur, populli vdes urie.
Një tjetër skenë që pati impakt të fortë te spektatorët është ajo që trajton rastin e një përdhunimi në kampet komuniste, rast i dokumentuar nga Instituti i Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Kështu, rrëfehet historia e një nëne që përdhunohet rrugës për në kamp, në prani të fëmijëve të saj që ishin në gjumë. Dhe ajo heshtet që të mos zgjojë fëmijët, ata nuk duhej të shihnin. Akoma pa arritur në kamp, djali i vdes në krahë dhe ajo shpreson që të paktën të mos e ketë parë skenën e përdhunimit.
Nën regjinë e Dino Mustafic, “Hello, I am Mephisto” na tregon se kompromisi është prezent në shoqëri, në politikë, në art. Shfaqja sugjeron se kompromisi përveçse përballë nesh, ndodhet tek ne. Unë, Mefisto është një thirrje për liri. E të lirë janë artistët e vërtetë, për të cilët, me humor, Ema Andrea “është e gatshme të dhurojë organet, që jeta e tyre të jetë pak më e gjatë, që të kontribuojnë me më shumë art”.
Shfaqja do të jetë në skenë deri në fund të janarit në Teatrin Eksperimental, e gatshme për të provokuar publikun shqiptar, i cili duket se nuk e ka shumë të lehtë të shkëputet nga e shkuara, si të jetë duke iu përmbajtur një “pakti” që ka bërë diku, dikur, mbase në pavetëdije.
Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit
Simfonia e 9-të e Beethovenit, kryevepra e muzikës klasike ngjitet në skenën e TKOB
Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi
- 08:08 Trump rikthen pretendimet për zgjedhjet e 2020-ës, akuzon Kinën për vjedhjen e të dhënave të votuesve
- 07:17 Sulmi amerikan godet juglindjen e Iranit, dëmtohet aeroporti, plagoset një civil
- 07:14 Zbardhen të tjera video nga plagosja me thikë në poliklinikën e Shkodrës, si nisi konflikti
- 07:11 Axios: Trump i zemëruar me Netanyahun, propozoi shitjen e avionëve luftarakë F-35
- 22:27 L’Equipe zbulon prapaskenat e Francës, Dembele shpërtheu ndaj shokëve në pushimin e ndeshjes me Spanjën
- 22:27 Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët