OKB i kërkon Izraelit t’i japë fund uzurpimit “joligjor” të territoreve palestineze

18 Shtator 2024 | 20:53

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka miratuar të mërkurën një rezolutë palestineze, e cila i kërkon Izraelit t’i japë fund “pranisë së jashtëligjshme në territoret e uzurpuara palestineze” brenda 12 muajve.

Njëqind e njëzet e katër shtete votuan për këtë rezolutë, 43 të tjera abstenuan, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe 12 shtete të tjera votuan kundër.

Ky vendim e izolon Izraelin pak ditë para se liderët botërorë të mblidhen në Nju Jork për takimin vjetor të OKB-së. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme më 26 shtator, sikurse edhe presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Rezoluta e së mërkurës pason një opinion këshillues në korrik nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se uzurpimi i territoreve palestineze nga Izraeli dhe ndërtimi i vendbanimeve janë të jashtëligjshme.

Ndërkohë, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u bën thirrje gjithashtu shteteve që “të ndërmarrin hapa drejt ndërprerjes së importit të çdo produkti me origjinë nga vendbanimet izraelite, si dhe të mos i sigurojnë apo transferojnë armë, municione dhe pajisje të ngjashme Izraelit … kur ka arsye për të dyshuar se ato mund të përdoren në Territorin e Pushtuar Palestinez”.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje vendeve të votojnë kundër të mërkurën. Uashingtoni – një furnizues armësh dhe aleat i Izraelit – ka kundërshtuar prej kohësh masat e njëanshme që minojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.

Opinioni GJND-së nuk është detyrues, por ka peshë sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të ndikojë që mbështetja për Izraelin të zbehet.

As rezoluta e së mërkurës e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk është detyruese, por ka peshë politike. Asnjë vend nuk ka të drejtë vetoje në Asamble.

“Çdo vend ka një votë dhe bota po na shikon,” tha ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, para Asamblesë së Përgjithshme të martën. “Ju lutemi qëndroni në anën e duhur të historisë. Me ligjin ndërkombëtar, me lirinë, me paqen.”

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale

Bitcoin ka rënë me rreth 5% të mërkurën, duke zbritur nën nivelin psikologjik prej 60,000 dollarësh, mes një presioni të shtuar të shitjeve në tregjet...
20:10 | 24/06/2026

Trump: Irani po bën lëshime të mëdha

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Irani po ofron lëshime të rëndësishme në kuadër të negociatave që po zhvillohen...
20:07 | 24/06/2026

Policia Metropolitane e Londrës do zgjerojë dronët dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës gjatë hetimeve

Komisioneri i Policisë Metropolitane të Londrës, Mark Rowley, ka njoftuar planet për rritjen e përdorimit të dronëve dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës në të...
19:34 | 24/06/2026