OKB shprehet e gatshme të mbikëqyrë një armëpushim të mundshëm në Gazë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të hënën se Kombet e Bashkuara janë shprehur të gatshme të ndihmojnë në mbikëqyrjen e një armëpushimi të mundshëm për ndalimin e luftimeve Izrael-Hamas në Gazë, por se është “jorealiste” të mendohet se agjencia botërore do të administrojë në mënyrë direkte territor ose do të sigurojë një forcë paqeruajtëse.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press ai tha se “OKB-ja do të jetë e gatshme të mbështesë çdo armëpushim”, por se nuk besonte se Izraeli do të pranonte një rol më të gjerë për OKB-në.
Ndërsa luftimet vazhdojnë prej 11 muajsh, Izraeli akuzoi një numër të vogël punënjësish të OKB-së se iu bashkuan militantëve të Hamasit në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, që çoi në nisjen e konfliktit.
Kombet e Bashkuara kanë mision vëzhgimi ushtarak në Lindjen e Mesme, të njohur si UNTSO, që nga viti 1948. Zoti Guterres tha se oferta për të mbikëqyrur armëpushimin “ishte një nga mundësitë që është vënë në tryezë”.
Por bisedimet prej muajsh të tërë për armëpushim kanë ngecur.
“Sigurisht, ne do të jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që na kërkon komuniteti ndërkombëtar”, tha zoti Guterres. “Çështja është nëse palët do ta pranonin atë, dhe në veçanti nëse Izraeli do ta pranonte atë”.
Ndërkohë, në një deklaratë tjetër, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Volker Türk tha se “dhënia fund e konfliktit në Gazë dhe parandalimi i përshkallëzimit të tij në një konflikt rajonal është përparësi absolute”.
Ushtria izraelite njoftoi të hënën se ka kryer sulme gjatë natës kundër ndërtesave të përdorura nga militantët e Hezbollahut në Libanin jugor, sulmi më i fundit në përplasjet ndërkufitare midis dy palëve që kanë nxitur shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal.
Në Sirinë fqinje, media shtetërore tha të hënën se sulmet ajrore që dyshohet se janë kryer nga Izraeli vranë të paktën 18 persona dhe plagosën rreth 40 të tjerë.
Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i Hamasit në 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael, që sipas autoriteteve izraelite la 1200 të vrarë dhe 250 vetë u morën peng.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 40,900 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, megjithëse ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin disa mijëra militantë.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti prej muajsh janë përpjekur për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, por negociatat kanë ngecur vazhdimisht.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë