Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një lidhje ‘live’ me Ilva Now theksoi se mbledhja e Këshillit të Sigurisë e thirrur nga kreu i shtetit, Ilir Meta u zhvillua nën një frymë konstruktive bashkëpunimi për të përballuar së bashku pasojat e COVID-19 në Shqipëri.
Znj. Xhaçka vuri në dukje faktin se kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri një parashtrim konstruktiv dhe shprehu pikpamjet e tij për përballjen e kësaj pandemie dhe kryeministri e ftoi atë të bëhej pjesë e diskutimeve të përbashkëta për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe për t’i dalë përballë çdo lloj skenari.
Ministrja Xhaçka bëri me dije se ushtria është e angazhuar në misionin e gjerë humanitar për t’i ardhur në ndihmë 600 mijë familjeve dhe individëve, ku përfshihen edhe pensionistët, të cilëve po iu ofrohen shërbimet në banesë.
“Pensionistët janë më të rrezikuarit dhe për të mos i rrezikuar dhe mundësuar izolimin e plotë, strukturat e shtetit dhe administratorët socialë, grupe të kordinuara po bëjnë çmos që pensionistëve t’iu shkojnë barnat, pensioni dhe nevojat e tjera në shtëpi”, tha ajo.
Ministrja sqaroi se kjo është një punë që nuk mund të përballohet vetëm nga ushtria, ndaj është organizuar në formë piramidale, me shtabe deri tek grupet e zbatimit në terren.
“Ndihma do t’iu shkojë këtyre individëve një herë në dy javë. Deri tani janë shpërndarë 26 mijë pako, dhe 5735 pensionistëve iu kanë shkuar në shtëpi barnat falas”, – tha ministrja Xhaçka.