Osmani takon Lajçak: Zgjedhjet në veri të Kosovës duhet të mbahen pa vonesa

30 Janar 2024 | 16:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të hënën se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit duhet të mbahen pa humbur kohë dhe në përputhje me ligjet e vendit, njoftoi Presidenca.

Ajo i bëri këto komente gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në kryeqytetin kosovar.

“Ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një njoftim të Presidencës të hënën.

Lajçaku po qëndron në Kosovë, ku u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, një ditë pasi e takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Beograd, shkruan REL.

Kosova ka thënë se është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë shkarkohen përmes peticionit nga qytetarët me të drejtë vote.

Qytetarët në këto komuna kanë nënshkruar peticione këtë muaj për shkarkimin e tyre. Tani, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë në prill të vitit të kaluar, duke nxitur rritje të tensioneve në atë pjesë të vendit.

Osmani gjithashtu i kërkoi Lajçakun që të hiqen masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri vitin e kaluar, të cilat tha se “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

Në takimin e së hënës me të dërguarin e BE-së, sipas Presidencës, Osmani tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i saj, të arritura në fillim të vitit 2023, duhet të zbatohen plotësisht.

“Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e përsëriti se duhet të vërtetohet nëse drafti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“[Ajo] po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, tha Osmani, sipas njoftimit.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Një draft-statut për Asociacionin iu prezantua Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Megjithatë, së fundmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe disa ministra të tij do të shkruajnë draft-statutin për Asociacionin.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Për shkak të ‘Pandës’ ndodhi Reçaku”, nëna e viktimës së rastit “Panda”: Do ta padis shtetin, Vuçiçi të tregojë të vërtetën

Ljubica Trifoviq, nëna e Dragan Trifoviqit, 17-vjeçarit të vrarë në sulmin ndaj kafenesë “Panda” në Pejë në vitin 1998, ka bërë thirrje që të zbulohet...
12:41 | 27/07/2026

Konjufca i bën thirrje Gjykatës së Hagës: Mos merrni vendim politik, por të drejtësisë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për vendimin që Gjykata Speciale do ta marrë më 16 shtator ndaj ish-krerëve të...
12:23 | 27/07/2026

Kosova kujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, Reçica: Simbol i qëndresës dhe lirisë

Bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Adem Demaçit kanë bërë homazhe pranë varrit të Nderit të Kombit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Deputeti i...
14:55 | 26/07/2026