Pakistani dhe Afganistani zhvillojnë bisedime pas sulmeve të fundit

18 Tetor 2025 | 10:39

Zyrtarët pakistanezë do të zhvillojnë bisedime në Katar më 18 tetor me homologët afganë, një ditë pasi Islamabadi kreu sulme ajrore në shtetin fqinj që vranë të paktën dhjetë persona dhe shkeli armëpushimin që solli qetësi për dy ditë në kufi.

“Ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe shefi i inteligjencës gjenerali, Asim Malik, do të nisen për në Doha sot për bisedime me talebanët afganë”, raportoi televizioni shtetëror në Pakistan.

Një zyrtar i qeverisë talebane po ashtu konfirmoi se do të mbahen bisedimet.

“Një delegacion i nivelit të lartë nga Emirati Islamik, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Mohammed Yaqub, është nisur për në Doha”, shkroi në X zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid.

Një armëpushim 48-orësh ndaloi gati një javë përplasje të përgjakshme në kufi, që shkaktuan vdekjen e dhjetëra ushtarëve dhe civilëve nga të dyja palët.

Por, të premten në mbrëmje, Afganistani akuzoi Pakistanin për shkelje të armëpushimit.

“Pakistani e ka shkelur armëpushimin dhe ka bombarduar tri lokacione në provincën Paktika. Afganistani do të kundërpërgjigjet”, tha për AFP-në një zyrtar taleban.

Dhjetë civilë u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën nga sulmet, thanë zyrtarët shëndetësorë për AFP-në që folën në kushte anonimiteti, duke shtuar se dy fëmijë ishin në mesin e të vrarëve.

Ndërkaq, një zyrtar pakistanez tha se forcat kishin kryer “sulme precize ajrore” në zonat përgjatë kufirit afgan, duke shënjestruar grupin Hafiz Gul Bahadur, një fraksion lokal i lidhur me Tehreek-e-Taleban Pakistan (TTP) – talebanët pakistanezë.

Islamabadi thotë se ky grup është përfshirë në bombardimet vdekjeprurëse dhe sulmet me armë zjarri në një kamp ushtarak në Vaziristanin Verior, që gjendet në kufi me Afganistanin, duke vrarë shtatë trupa paramilitare pakistaneze.

Çështjet e sigurisë qëndrojnë në epiqendrën e tensioneve, me Pakistanin që akuzon Afganistanin për strehimin e grupeve militantë të udhëhequra nga TTP-ja, në tokën e tij, një pretendim që Kabuli e mohon.

Dhuna ndërkufitare u rrit në mënyrë dramatike që nga e shtuna, disa ditë pas shpërthimeve që tronditën kryeqytetin afgan Kabul, pikërisht ndërsa ministri i Jashtëm i talebanëve nisi një vizitë të paprecedentë në Indi, rivalin e kamotshëm të Pakistanit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në spitalet europiane, nga diagnostikimi i sëmundjeve deri te përmirësimi i organizimit të punës, por mungesa e...
22:27 | 16/07/2026

Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar

Grupi i Miqve të Iniciativës Globale për Zhvillim (GDI) i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë rolin qendror koordinues të Kombeve të Bashkuara (OKB) në...
22:19 | 16/07/2026

“Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka bërë akuza ndaj disa anëtarëve të qeverisë izraelite, duke i akuzuar ata se kanë tentuar të ndikojnë...
22:18 | 16/07/2026