Paralajmërimi i Odës Amerikane: Refuzimi i gazit rrezikon partneritetin e Kosovës me SHBA-në
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehu shqetësim për “mungesën e vazhdueshme të konsideratës” nga Qeveria në detyrë e Kosovës karshi thirrjeve të Qeverisë amerikane për përfshirjen e vendit në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke paralajmëruar se një shpërfillje e thirrjeve amerikane mund të ketë ndikim në partneritetin mes dy vendeve.
“Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës”, u tha në reagimin e OEAK-ut më 17 qershor.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon.
Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.
“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.
Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se është shqetësues fakti që të gjitha shtetet e tjera të rajonit kanë shprehur zotim që të bëhen pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, “e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, tha OEAK-u.
Kjo odë tha se Kosova varet për prodhim të energjisë nga kapacitete të vjetruara gjeneruese – duke iu referuar dy termocentraleve të vjetra me qymyr, Kosova A dhe Kosova B ku prodhohet rreth 90 për qind e energjisë – dhe nga importet e mëdha të energjisë. Prandaj, sipas kësaj ode, qasja në LNG-në amerikane përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe “një zgjedhje strategjike”.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, tha OEAK-u.
Raportuesi për Kosovën në PE: Duhet të marrë statusin e kandidatit për BE
Kurti për zgjedhjen e presidentit: Të përfundojë sjellja refuzuese e ish-opozitës
VV rrit numrin e mandateve në Kuvend, shkon në 52
- 11:24 Komisioni i Venecias vlerëson pozitivisht projektligjin për financimin e partive politike, rekomandon disa përmirësime
- 11:20 Deputetja Koçeku: Nëse familjes time i preket edhe një qime floku, nuk e lë pa iu shkatërruar
- 11:10 Kapet në Tiranë 41-vjeçari i kërkuar për plagosje të dyfishtë, i sekuestrohet pistoletë, thikë dhe drogë
- 11:06 Miliona tifozë në Kupën e Botës 2026, cili vend ka pjesëmarrjen më të lartë të tyre
- 10:46 Kina dërgon grup satelitësh interneti në hapësirë
- 10:42 Kryeministri kanadez: Duhet diversifikim energjetik për të shmangur krizat globale