Parlamenti i Bullgarisë zgjedh Rumen Radev si kryeministër të ri

8 Maj 2026 | 18:41

Parlamenti i Bullgarisë ka zgjedhur Rumen Radev si Kryeministër të vendit, sipas raportimeve të mediave vendase ndërsa deputetët kanë miratuar përbërjen e propozuar të Këshillit të Ministrave dhe kanë votuar për formimin e qeverisë së re. Kandidatura e Radev për kryeministër është paraqitur në seancë plenare nga kryetari i grupit parlamentar “Progressive Bulgaria”, Petar Vitanov.

Propozimi është miratuar me 124 vota pro, 70 kundër dhe 36 abstenime.

Në fjalën e tij në parlament, Rumen Radev ka prezantuar prioritetet e qeverisë së re dhe ka falënderuar qytetarët bullgarë për votën e tyre, duke thënë se ajo i ka dhënë fund krizës politike në vend.

“Që të hënën do të paraqesim propozimet tona për projektligje mbi çështjen që shqetëson më shumë qytetarët bullgarë – rritjen galopante të çmimeve. Gjithashtu, të hënën do të paraqesim propozimin tonë për ndryshime në Ligjin për Sistemin Gjyqësor. Pjesëmarrja masive e votuesve në këto zgjedhje riktheu legjitimitetin shumë të nevojshëm të institucionit më të rëndësishëm politik – Asamblesë Kombëtare – dhe hapi mundësinë që puna të kryhet shpejt dhe në mënyrë efektive”, tha ai.

Ai ka deklaruar se më 11 maj, Këshilli i Ministrave do të paraqesë në parlament ndryshime ligjore për të luftuar rritjen e çmimeve. Ndër prioritetet e tjera ai ka përmendur miratimin e buxhetit të shtetit, luftën kundër inflacionit dhe deficitit buxhetor, reformën në sistemin gjyqësor dhe zbatimin e planit të rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë.

Qeveria e re do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe një kabinet të ri ministror. Ndër ta përmenden emra për ministri të ndryshme si financat, ekonomia, mbrojtja, punët e brendshme, drejtësia, arsimi, shëndetësia, energjia, kultura dhe të tjera.

Pas votimit, kryeministri dhe ministrat e rinj kanë bërë betimin para parlamentit. Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe presidentja Iliana Yotova, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe trupi diplomatik.

“Ata duhet ta nisin punën me një analizë shumë serioze të situatës që kanë trashëguar, në mënyrë që të mund të miratohen masa afatgjata dhe afatshkurtra. Njoh personalisht një numër të madh ministrash të Republikës së Bullgarisë. Kam punuar me ta dhe besoj se kanë ekspertizën profesionale dhe guximin për të qeverisur”, tha presidentja Iliana Yotova

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjermania rregulla të reja, operatorët e skuterëve elektrikë me qira do të mbajnë përgjegjësi për aksidentet

Viktimat e goditura nga skuterët elektrikë me qira në rrugët gjermane do ta kenë më të lehtë të marrin kompensim nga operatorët e tyre sipas...
16:40 | 09/07/2026

28 të vdekur nga zjarri në një fabrikë këpucësh në Kinë (VIDEO)

Të paktën 28 ​​persona humbën jetën në një zjarr në fabrikën e këpucëve “Fujian Huiteng Shoes” në qytetin kinez Jinjiang në provincën Fujian, raporton Xinhua....
16:39 | 09/07/2026

Zbulohen fotot, këto janë pistoletat që Erdogan u dhuroi liderëve të shteteve të NATO-s

Janë publikuar fotot e dhuratës së pazakontë që presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, u dhuroi liderëve të NATO-s që morën pjesë në samitin e Aleancës,...
16:26 | 09/07/2026