Pas shkeljes së hapësirës ajrore, Letonia do të rrisë mbrojtjen kundër dronëve. Ja çfarë planifikon
Letonia po rrit mbrojtjen kundër dronëve në kufijtë e saj me Rusinë dhe Bjellorusinë aleate të Moskës në përgjigje të dronëve që fluturojnë në vendin e NATO-s, tha një zyrtar i ushtrisë për Reuters.
Dronët ukrainasë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike të NATO-s në javët e fundit, duke shkaktuar konfuzion dhe duke rritur tensionet me Rusinë në një kohë kur angazhimi i SHBA-së ndaj sigurisë kolektive të NATO-s është në pikëpyetje.
Ukraina, e cila ka synuar portet ruse të ngarkimit të naftës në Baltik, ka thënë se bllokimi rus i sinjaleve të dronëve të saj i ka bërë ata të devijojnë nga kursi.
Dy dronë shpërthyen një objekt të zbrazët për ruajtjen e naftës në Letoni më 7 maj. Një tjetër shpërtheu në një liqen të shtunën.
Një dron tjetër i detyroi ligjvënësit në kryeqytetin lituanez, Vilnius, të strehoheshin nën tokë më 20 maj, dhe një avion ushtarak i NATO-s rrëzoi një tjetër dron mbi Estoni më 19 maj.
“Ne planifikojmë të vendosim ekipe përgjuesish me dronë gjatë dy javëve të ardhshme”, tha për Reuters Modris Kairiss, kreu i Qendrës së Kompetencës për Sistemet Autonome të Ushtrisë Letoneze, në një aktivitet anësor të konferencës së Samitit të Dronëve në Letoni.
Ekipet do të përbëhen nga deri në katër ushtarë në një automjet me terren të thyer që operon me dronë vrasës, të cilët mund të shkatërrojnë dronë ushtarakë që vijnë në një rreze prej 10 km tha ai.
Numri i ekipeve të tilla që patrullojnë kufirin letonez prej 400 km me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë është i klasifikuar.
“Ne duhet të rrisim numrin e ekipeve të tilla, por duhet ta balancojmë këtë me nevojat e tjera të ushtrisë. Nëse i vendosim ato në çdo kilometër të kufirit, do t’i djegim shpejt të gjitha burimet e ushtrisë”, tha ai.
Dronët paraqesin sfida për NATO-n
Duke folur për Reuters në një poligon testimi ushtarak ku Letonia po provon teknologjitë më të reja të dronëve në një program të NATO-s, Kairiss tha se rrëzimi i dronëve ushtarakë në kohë paqeje është i ndërlikuar, sepse të dhënat e radarit në vendet e NATO-s janë të klasifikuara dhe ndarja e tyre me ushtarët e ngarkuar me shkatërrimin e dronëve është e vështirë.
“Nuk mjafton të angazhohesh me çdo gjë që vëren. Duhet ta identifikojmë atë së pari”, për të shmangur goditjen e një aeroplani civil, tha Kairiss.
Një tjetër sfidë kërcënuese për ushtrinë letoneze dhe NATO-n në përgjithësi është përdorimi në rritje i dronëve të vegjël, tha Kairiss.
“Ata janë disa hapa përpara sistemeve anti-dronë. Zbulimi dhe përgjimi i objektivave të vegjël është i vështirë dhe është sfida e madhe me të cilën do të përballemi të gjithë së shpejti”, tha ai.
Ukraina është në rrugën e duhur për ta tejkaluar Rusinë në numrin e dronëve, me të dy vendet që prodhojnë miliona njësi në vit, tha për Reuters në margjinat e Samitit të Dronëve, Marshalli i Ajrit Johnny Stringer.
NATO nuk mund ta përballojë këtë për momentin, por duhet të ketë industrinë në gjendje të rimbushë dronët me të njëjtin ritëm që ato konsumohen, tha ai.
Ushtritë mund të shohin përtej “bazës industriale të mbrojtjes të kuptuar tradicionalisht” për këtë, tha Stringer. Ai tha se kompanitë inovative të dronëve në Ukrainë shpesh janë më pak se katër vjeç dhe janë themeluar nga njerëz jashtë industrisë së mbrojtjes ose ushtrisë.
“Aleanca do të duhet të jetë në gjendje të prodhojë në numër shumë të madh bazuar në konceptet se si e imagjinojmë luftimin”, tha Scott Boston, analist i lartë i mbrojtjes në RAND Corporation.
“Partneriteti me Ukrainën është e vetmja mënyrë afatshkurtër” për të rritur kapacitetin e prodhimit, shtoi ai.
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta