Përplasja Francë-BE, analistët: Politikat e Bashkimit Kombëtar, ndesh me Unionin

1 Korrik 2024 | 16:52

Në rast të një fitoreje në raundin e dytë, rivalët politikë të presidentit francez mund të trembin Bashkimin Evropian. E djathta ekstreme nuk flet më për daljen nga BE apo braktisjen e euros, por disa nga propozimet e Bashkimit Kombëtar bien ndesh me ligjet evropiane.

“Jordan Bardella ka njoftuar se nëse drejton qeverinë do të tërheqë pjesë të kontributit të Francës në buxhetin e Bashkimit Evropian, gjë që rrjedhimisht do të jetë një sfidë ndaj angazhimeve të Francës. Ka një angazhim për të hapur negociatat për reformimin e lirisë së lëvizjes brenda zonës Schengen, duke e rezervuar për shtetasit evropianë. Gjithashtu është edhe ideja për një kontroll më të rreptë të emigracionit, përmes një referendumi që e vendos ligjin francez mbi atë evropian. Kjo do të ishte shkelje e pastër e ligjit evropian”, thotë Eric Maurice, analist, Qendra për Politikat Evropiane.

Bashkimi Kombëtar po propozon gjithashtu një shkurtim të tatimit mbi energjinë, sërish duke rënë ndesh me rregullat e BE-së, pasi vendimi duhet të jetë unanim.

Partia synon edhe zhbërjen e reformës së pensioneve të presidentit Macron. Edhe pse projekti nuk bie ndesh me kompetencat evropiane, kjo reformë rekomandohet nga Komisioni Evropian për të vënë nën kontroll deficitin publik. Ndaj, edhe pa braktisur BE-në, programi i Bashkimit Kombëtar mund të ketë efektet e tij.

“Është më keq se kaq. Nuk është një dalje nga Bashkimi Evropian, por vë në dyshim disa nga politikat e bllokut, ose pjesëmarrjen e Francës në politikat evropiane dhe angazhimet e saj”, shprehet Eric Maurice, analist, Qendra për Politikat Evropiane.

Partitë e së majtës, të bashkuara në kuadër të Frontit të Ri Popullor, nuk e vënë në dyshim angazhimin e vendit ndaj Unionit. Megjithatë, mund të ketë tensione për çështjet buxhetore.“Kur shohim përbërësit socialë dhe ekonomikë të këtij programi, kostoja vlerësohet nga 150 në 200 miliardë euro dhe këtu i rikthehemi çështjes së kontrollit të deficitit ose borxhit publik. Rrjedhimisht, marrëveshjeve ose mosmarrëveshjeve të ekonomisë franceze me ekonomitë e partnerëve evropianë. Dhe më pas, fare thjeshtë, nëse lejojmë që deficiti dhe borxhi të dalin nga kontrolli, atëherë do të bien në kontradiktë me zotimet për ta reduktuar këtë deficit dhe borxh brenda kornizës së Paktit të Stabilitetit”, thekson Maurice.

Sipas analistëve, Fronti i Ri Popullor propozon një rishikim të prioriteteve politike të Unionit, si dhënien fund të traktateve për tregtinë e lirë, apo reformimin e Politikës së Përbashkët të Agrikulturës.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE: Riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë trajtohet në kuadër të dialogut

Çështja e kthimit në punë të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Kosovë po shqyrtohet në kuadër të procesit më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve...
12:50 | 15/07/2026

Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’

Spanja dhe Gjibraltari po festojnë rënien e gardhit të fundit kufitar në Evropën Perëndimore, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje pas Brexit-it që i jep fund kontrolleve kufitare...
12:17 | 15/07/2026

I dënuar me 10 vite burg për spiunazh, Irani i shton edhe dy vite dënim britanikut: Foli me mediat

Familja e çiftit britanik Craig dhe Lindsay Foreman, të cilët po vuajnë një dënim me 10 vjet burg në Iran për akuza spiunazhi që ata i mohojnë,...
11:33 | 15/07/2026