Pesë të plagosur nga sulmi me thikë në Marsejë, autori vritet nga policia

2 Shtator 2025 | 18:12

Një burrë është qëlluar për vdekje nga policia në Marsejë të Francës, pasi plagosi pesë persona me thikë në një incident të rëndë që ndodhi të martën pasdite jashtë një restoranti në zonën Bouches-du-Rhone.

Sipas autoriteteve, një nga viktimat u dërgua në spital në gjendje kritike. Të plagosurit janë sulmuar në vende të ndryshme nga i njëjti autor, i cili mbante dy thika të mëdha dhe një shufër hekuri.

Pamjet e incidentit tregojnë të dyshuarin duke thirrur “Allahu Ekber” përpara se të ecte drejt policisë, e cila e qëlloi pas tentativës së tij për të sulmuar një efektiv.

Burri u godit fillimisht me pistoletë elektroshoku, por më pas u qëllua me armë zjarri ndërsa ndërroi jetë pak pasi mbërriti në spital.

Prokurori publik i Marsejës, Nicolas Bessonne, bëri të ditur se autori ishte një shtetas tunizian me qëndrim të ligjshëm në Francë.

Ai ishte dëbuar më parë nga një hotel në lagjen Belsunce për mospagesë qiraje dhe ishte kthyer më pas për të sulmuar personat që ndodheshin aty.

Sipas autoriteteve, sulmuesi fillimisht goditi me thikë personin që kishte zënë dhomën e tij të vjetër në hotel.

Më pas plagosi menaxherin e hotelit dhe djalin e tij në rrugë. Burri vazhdoi më tej, duke tentuar të godiste klientë në një bistro pranë hotelit dhe më pas kalimtarë të rastit në zonën Cours Belsunce.

Të gjitha viktimat janë plagosur me një thikë të gjatë dhe janë dërguar në spital, ndërsa disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Mediat franceze raportojnë se autori nuk figuron në regjistrin kombëtar të personave të radikalizuar me rrezik për terrorizëm, por ka qenë i njohur për shërbimet e inteligjencës territoriale.

Ngjarja ka shkaktuar pezullimin e përkohshëm të shërbimeve të transportit publik në zonë, ndërsa vendi i incidentit ndodhet pranë Portit të Vjetër të Marsejës.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Retailleau, pritet të vizitojë policinë e Marsejës këtë mbrëmje.

Prokuroria ka hapur hetime për “tentativë vrasjeje me dashje” dhe “tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të policisë”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve ruse që goditën disa rajone të Ukrainës,...
22:30 | 01/07/2026

Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz

Negociatorët amerikanë po përpiqen të bindin Iranin në bisedimet teknike indirekte që po zhvillohen në Doha të heqë dorë nga planet për të vendosur taksa...
22:28 | 01/07/2026

SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një kompleksi të ri të ambasadës në Jerusalem, një veprim që autoritetet izraelite e cilësuan...
22:28 | 01/07/2026