Politika uron myslimanët për Fiter Bajramin: Një ditë solidariteti dhe harmonie

30 Mars 2025 | 13:12

Drejtues të shtetit dhe politikanë, kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Bajramit, dhe kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së harmonisë mes grupeve fetare. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në urimin e tij u shpreh se kjo është një ditë solidariteti për të gjithë shqiptarët.

“Gëzuar Fiter Bajramin, qoftë kjo ditë e shënuar, një ditë solidariteti dhe një ditë mirësie për të gjithë shqiptarët. Fjalët e Kuranit dhe të urtit profetit Muhamed le të shërbejnë për çdo shqiptar si shembull frymëzimi në jetën e përditshme. Ti shtrijmë dorën njëri tjetrit, të ndihmojmë të pamundurit dhe të jemi të bashkuar në shërbim të interesit tonë madhor, në shërbim të interesit të harmonisë fetare të dialogut ndër fetar dhe të interesit kombëtar”, tha Begaj.

Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë urimit të saj në selinë e Komunitetit Mysliman, theksoi se Fiter Bajrami është një ditë që bashkon besimtarët pas muajit të agjërimit dhe sakrificës.

“Sot është një ditë e gëzuar për të gjithë besimtarët myslimanë, dita e Fiter Bajramit. Është një ditë që na bën bashkë pas muajit të agjërimit, të sakrificës dhe të lutjeve. Besimtarët vijnë për pranimin e sakrificave të tyre. Kjo është një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman dhe uroj të gjithë shqiptarët sepse festat dhe të mirat ne i ndajmë me njëri-tjetrin dhe është një dëshmi e qartë se si toleranca dhe vëllazëria mes komuniteteve fetare është një realitet dhe nuk është një slogan. Dua të uroj dhe përgëzoj Komunitetin Mysliman që rrezaton këtë tolerancë dhe vlerat më të mira të popullit tonë duke nxitur progresin dhe harmoninë dhe jo ndarjen e përçarjen”, u shpreh ajo.

Urimin për besimtarët myslimanë e shprehu edhe kreu i PD-së, Sali Berisha pas vizitës në Komunitetin Mysliman Shqiptar. Berisha tha se nëse vjen në pushtet do dyfishojë fondet për komunitetet fetare dhe se ora e faljes së të Premtes do të jetë orar pushimi.

Një mesazh urimi për këtë ditë të shenjtë ka shkruar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Gëzuar Fiter Bajramin! Urime të gjithë besimtarëve myslimanë me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit! Zoti jua pranoftë lutjet dhe shpërbleftë sakrificat tuaja. Qoftë ky Bajram një ditë feste për të gjithë besimtarët mysliman dhe çdo familje shqiptare; qoftë një burim dashurie për të afërmit tuaj, e sjelltë paqe e mirësi për të gjithë ju!”, shkruan ai në Facebook.

Fiter Bajrami simbolizon jo vetëm mirënjohjen dhe faljen, por edhe afrimin me njëri-tjetrin, duke mbajtur gjallë vlerat dhe traditat brez pas brezi.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026