Portugalia mban sot zgjedhjet parlamentare, roli i partisë së ekstremit të djathtë
Qytetarët në Portugali votojnë më 10 mars në zgjedhjet parlamentare dhe përballen me zgjedhjen midis një qeverie të qendrës së djathtë apo t’i japin edhe një mandat qendrës së majtë.
Partia e ekstremit të djathtë, Chega, sipas sondazheve, është rritur dhe mund të luajë rol në bisedimet për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve.
Çështjet që mbizotëruan fushatën në shtetin më të varfër të Evropës perëndimore përfshinin krizën e strehimit, rrogat e ulëta, gjendja në sistemin shëndetësor dhe korrupsioni.
Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00 në Portugali dhe një orë më vonë në arkipelagun e Azores. Rezultatet e para pritet të publikohen në mesnatë.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi katër muaj më parë kryeministri socialist, Antonio Costa, dha papritur dorëheqje për shkak të një hetimi për ryshfet. Në këto zgjedhjet pritet përballja e dy partive të qendrës, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Social Demokrate (PSD), që qenë në pushtet herë njëra e herë tjetra që nga rënia e diktaturës fashiste pesë dekada më parë, shkruan REL.
Në garë është edhe koalicioni i partive të djathta, Aleanca Demokratike (AD). Ky koalicion, sipas shumicës së sondazheve prin, por do ta ketë të vështirë të formojë koalicion qeverisës pa mbështetjen e Chegas.
Partia në pushtet, PS, që tani udhëhiqet nga Pedro Nuno Santos, ndoshta mund të tentojë të përsërisë aleancën e vjetër me Bllokun e Majtë dhe Komunistët, me të cilët qeverisi gjatë viteve 2015 deri më 2019, nëse së bashku fitojnë mbi 115 ulëse në Parlamentin prej 230 vendesh.
Sondazhet sugjerojnë se mbështetja e mesazhit antiestablishment e Chegas – parti që është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe ka pikëpamje kundër migrimin – pothuajse është dyfishuar që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2022. Megjithatë, kjo parti sipas sondazheve pritet të dalë e treta.
Të premten, presidenti konservator Marcelo Rebelo de Sousa, tha për gazetën Expresso se do të bëjë gjithçka për të parandaluar që Chega të marrë pushtetin. Këto deklarata kanë nxitur kritika pasi kreu i shtetit duhet të jetë neutral.
Analisti politik, Antonoi Costa Pinto nga Universiteti i Lisbonës tha se Portugalia “ka hyrë në dinamikën e shumë demokracive evropiane”, në të cilën, qendra e djathtë sfidohet duke pasur përkrah një parti të krahut të djathtë të konsoliduar në vendin e tretë.
Mbi 10 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare të Portugalisë.
LEXONI GJITHASHTU:
BE ndan 20 milionë euro për të promovuar paqen në Kaukazin Jugor
1 në 3 evropianë pret rënie të standardit të jetesës, shkak rritja e çmimeve
Portugalia lançon modelin e parë të inteligjencës artificiale
- 23:25 Dosja “Ura”, BKH arreston Adi Çobën, i akuzuar si organizator i trafikut të heroinës dhe kokainës
- 22:37 Zgjidhet Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të PD-së, ja kush e zëvendëson Palokën
- 22:30 Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur
- 22:28 Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz
- 22:28 SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem
- 22:24 Irani: Çdo kërcënim do të marrë përgjigje të menjëhershme, Trump të frenojë aleatët e tij