Në një ceremoni të zhvilluar këtë të premte në Sheshin e Kuq të Moskës për të shënuar 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim 10-minutësh përpara trupave ruse dhe liderëve nga rreth 20 vende. Ngjarja, e cila për të katërtin vit radhazi zhvillohet në sfondin e luftës në Ukrainë, u përdor nga Kremlini për të përcjellë mesazhe të forta patriotike dhe politike.
“Në Rusi, Dita e Fitores është festa më e rëndësishme,” deklaroi Putin, duke theksuar se Rusia nuk do të pranojë kurrë “shtrembërimin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore” dhe se ajo i mban të gjalla mësimet historike të asaj lufte.
Presidenti rus i kërkoi të pranishmëve të respektonin një minutë heshtje në kujtim të të rënëve gjatë “Luftës së Madhe Patriotike”, ndërsa të ftuarit në tribunë u ngritën në këmbë për të treguar respekt.
Në vijim të fjalës së tij, Putin iu referua edhe luftës në Ukrainë, të cilën vazhdon ta quajë “operacion special ushtarak”, duke pohuar se populli rus qëndron në mbështetje të plotë të forcave të armatosura.
“E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli mbështesin ushtarët që po marrin pjesë. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Për këtë forcë shpirtërore që na ka sjellë gjithmonë vetëm fitore,” tha ai.
Pas fjalimit, nisi parada ushtarake madhështore nën muret e Kremlinit, me pjesëmarrjen e presidentëve të Kinës dhe Brazilit, Xi Jinping dhe Luiz Inacio Lula da Silva, si dhe udhëheqësve të aleatëve tradicionalë të Rusisë, si Kazakistani, Bjellorusia, Vietnami, Armenia, Kuba dhe Venezuela.
Në kundërshtim me politikën e izolimit të promovuar nga Perëndimi, në ceremoni morën pjesë edhe kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, si dhe presidenti serb i Bosnjës, Milorad Dodik, i shpallur në kërkim nga drejtësia boshnjake.
Në paradë morën pjesë edhe ushtarë nga 13 vende, përfshirë përfaqësues nga Kina, Vietnami, Burma dhe Egjipti.
Ndërkohë, Ukraina akuzoi Rusinë për qindra shkelje të armëpushimit të shpallur për periudhën 8–10 maj, duke raportuar sulme në rajonet Kherson dhe Dnipropetrovsk, ku mbetën të plagosur dy civilë. Moska këmbëngul se po “respekton me rigorozitet” armëpushimin, duke thënë se reagon vetëm ndaj shkeljeve të Kievit.
Në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve, SHBA bëri thirrje për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, ndërsa Bashkimi Evropian njoftoi krijimin e një gjykate të posaçme për të hetuar “krimet e agresionit rus”. Qeveria britanike ndërkohë shpalli sanksione të reja kundër flotës së fshehtë të anijeve që përdoret nga Rusia për të eksportuar naftën dhe gazin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar paradën ushtarake në Moskë si një “paradë gënjeshtrash”, ndërsa Kremlini tha se ka marrë masa të shtuara sigurie, përfshirë kufizimin e aksesit në internet për të parandaluar sulme me dronë gjatë festimeve.
LEXONI GJITHASHTU:
- Lufta kundër terrorizmit, Putin dhe Modi zhvillojnë bisedë telefonike
- Refuzoi armëpushimin nga Putin, Zelensky: E dimë se me kë kemi të bëjmë