Qëndistaria e Gjirokastrës, 40 vite pasion dhe trashëgimi
Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër “Dunavat” në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.
E lindur dhe rritur në këtë lagje, ajo përfaqëson gruan me një pasion të veçantë për artin e punimeve me gjilpërë, një teknikë delikate që ka zbukuruar për shekuj veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.
“Unë këtë zanat e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë që duhet ta duash, ta dashurosh dhe ta bësh. Nuk bëhet sepse është një punë që duhet të tërheqë për ta bërë. Nuk është si punët e tjera që mund t’i bëjë çdo njeri. Kjo është një gjë shumë e veçantë që duhet ta duash me shpirt për ta mësuar”, thotë Hëna Gega.
Qëndisjet tradicionale me gjilpërë kërkojnë orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo ka bërë që ndër vite, artizania e saj të jetë simbol i finesës, por gjithashtu një produkt i kërkuar kryesisht nga të huajt.
“Ishte një bum i madh, që nga Greqia kërkonin shumë prodhim të tillë, bënin këllëfë, çentro tabakaje, dhe mua më vinin porositë në shtëpi. Unë i bëja, por nuk është punë që vlerësohet. Është një punë që do shumë kohë dhe nuk ka shumë lekë”, thotë ajo.
Megjithëse e pranon se është vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, qëndistarja ende vazhdon të përcjellë këtë vlerë të traditës. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.
“Unë e kam pasion, unë këtë e kam jetë. Nuk mund të rri nëse jam e shqetësuar apo kam një mërzitje. Nuk mund të rri pa punëdore, nuk mund të rri një ditë pa punëdore. Edhe do ta vazhdoj patjetër”, thotë Hëna Gega.
Artizania gjirokastrite e qëndisjes karakteristike dëshiron që kjo mjeshtëri të mos harrohet, por të transmetohet në breza si një vlerë e çmuar e traditave të Gjirokastrës.
LEXONI GJITHASHTU:
Ikonat e Onufrit dhe Shpatarakut tërheqin turistët, rritet interesi për Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë
Shtëpia ku lindi i madhi Faik Konica në harresë, thirrje që të kthehet në muze
Historia e heroit të mitologjisë greke Odisesë rikthehet në ekranet botërore
- 20:13 ‘Rilindja Urbane 2.0’ Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Nuk duam fasada, kërkojmë decentralizim real
- 19:48 Protesta në Tiranë hyn në ditën e 41-të, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
- 19:39 Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbyllin të martën kapituj të tjerë në bisedimet për anëtarësim në BE
- 19:37 Sulmet me dronë ukrainasë goditën rafineritë jugore ruse dhe portin e Azovit
- 19:34 Shtetet baltike thërrasin të dërguarit rusë për pretendime të rreme për deportim
- 19:11 Festimet për fitoren e Francës kthehen në tragjedi, 17-vjeçarja bie nga kamioni dhe shtypet prej tij