Revolucion kundër HIV, Komisioni Evropian jep dritën jeshile për ilaçin e ri
Komisioni Evropian ka miratuar zyrtarisht injeksionin për parandalimin e HIV-it, duke hapur rrugën për shpërndarjen e tij në të gjithë Bashkimin Evropian, njoftoi kompania farmaceutike Gilead Sciences.
Vendimi pason rekomandimin e dhënë një muaj më parë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila e cilësoi këtë terapi si një hap historik në luftën kundër HIV-it.
Ilaçi i ri, lenacapavir, është një formë profilaksie para ekspozimit (PrEP), që vepron duke penguar replikimin dhe përhapjen e virusit në trup, ndërsa injektohet dy herë në vit. Ai është testuar si i sigurt dhe efektiv për të rritur dhe adoleshentë që janë në rrezik për t’u infektuar me HIV.
Gjatë studimeve klinike, lenacapavir tregoi efektivitet 100% në parandalimin e infeksionit, duke u vlerësuar si një ndër përparimet më të mëdha mjekësore të vitit 2024. Në tregun evropian, ilaçi do të shitet me emrin Yeytuo, dhe do të jetë në dispozicion në të gjitha vendet e BE-së, si edhe në Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn.
Krahasuar me trajtimet ekzistuese, Yeytuo ofron një alternativë shumë më praktike, duke zëvendësuar nevojën për pilula ditore me vetëm dy injeksione në vit.
“Miratimi i shpejtë nga Komisioni Evropian nënvizon potencialin transformues të Yeytuo për të adresuar një nevojë urgjente dhe të papërmbushur në fushën e parandalimit të HIV-it,” deklaroi Dr. Dietmar Berger, drejtori mjekësor i Gilead Sciences.
Miratimi vjen në një kohë kur Europa po përballet me një rritje të ndjeshme të infektimeve të reja. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 janë regjistruar mbi 24,700 raste të reja të HIV-it në BE, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn – një rritje prej 11.8% krahasuar me vitin 2022.
Përveç Evropës, lenacapavir është miratuar edhe nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka përfshirë atë në rekomandimet e saj si opsion shtesë për profilaksinë ndaj HIV-it.
Gilead po kërkon gjithashtu miratim në disa vende të tjera si Australia, Brazili, Kanadaja, Zvicra dhe Afrika e Jugut. Në të njëjtën kohë, kompania është angazhuar të ofrojë versione gjenerike të ilaçit në 120 vende me të ardhura të ulëta dhe me prevalencë të lartë të HIV-it.
Megjithatë, shtrirja e aksesit në shkallë globale mbetet e paqartë, sidomos pas shkurtimit të fondeve shëndetësore nga Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht një nga donatorët më të mëdhenj në luftën globale kundër HIV/AIDS-it.
Sipas të dhënave të fundit, HIV prek rreth 40.8 milionë njerëz në mbarë botën, dhe 630,000 njerëz humbën jetën nga sëmundjet e lidhura me AIDS-in vetëm në vitin e kaluar.
LEXONI GJITHASHTU:
Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur
Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz
SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem
- 23:25 Dosja “Ura”, BKH arreston Adi Çobën, i akuzuar si organizator i trafikut të heroinës dhe kokainës
- 22:37 Zgjidhet Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të PD-së, ja kush e zëvendëson Palokën
- 22:30 Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur
- 22:28 Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz
- 22:28 SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem
- 22:24 Irani: Çdo kërcënim do të marrë përgjigje të menjëhershme, Trump të frenojë aleatët e tij