Rumunët votojnë në zgjedhjet që mund të thellojnë përçarjet në BE
Rumunët votojnë të dielën në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, ku mund të zgjedhin mes një euroskeptiku të së djathtës ekstreme dhe një të pavaruri centrist, dhe ku rezultati mund të ketë ndikim si në ekonominë e dobësuar të vendit, ashtu edhe në unitetin brenda Bashkimit Evropian.
Nacionalisti i së djathtës ekstreme, George Simion, 38 vjeç, i cili kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën fqinje dhe është kritik ndaj udhëheqjes së Bashkimit Evropian, priu bindshëm në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke shkaktuar rrëzimin e një qeverie koalicioni pro-perëndimore.
Kryetari centrist i Komunës së Bukureshtit, Nicusor Dan, 55 vjeç, i cili ka premtuar të luftojë korrupsionin, është fuqishëm pro Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai ka deklaruar se mbështetja e Rumanisë për Ukrainën është thelbësore për sigurinë e saj përballë kërcënimit në rritje nga Rusia.
Presidenti i një shteti anëtar të BE-së dhe NATO-s ka kompetenca të konsiderueshme, përfshirë drejtimin e këshillit të mbrojtjes që vendos për ndihmën ushtarake. Ai gjithashtu mbikëqyr politikën e jashtme dhe ka të drejtën të vërë veton për votime në BE që kërkojnë unanimitet. Rumania është njëra nga pesë shtetet e BE-së që nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Kushdo që zgjidhet, do të duhet gjithashtu të propozojë një kryeministër që të negociojë një shumicë parlamentare për të ulur deficitin buxhetor të Rumanisë – më i madhi në BE.
Një sondazh i së premtes parashihte se Dan për herë të parë që nga raundi i parë ishte pak përpara Simionit në një garë të ngushtë që do të varet nga pjesëmarrja dhe diaspora e madhe rumune.
Rreth 2.06 milionë rumunë, ose 11.5% e votuesve të regjistruar, kishin hedhur votën deri në orën 08:34, sipas të dhënave, përfshirë edhe votimet jashtë vendit. Votimi mbyllet në orën 20:00, pas çka do të publikohen exit pollet dhe më pas rezultatet preliminare në mbrëmje.
Presidenti mund të shërbejë vetëm dy mandate pesëvjeçare.
“Ndryshe nga shtetet perëndimore që mund të përballojnë më lehtë gabime, besimi në Rumani mund të humbet shumë më shpejt dhe mund të … kërkojë gjenerata për ta rikuperuar”, tha Radu Burnete, drejtor i grupit më të madh të punëdhënësve në vend.
Analistët politikë kanë thënë se një fitore e Simionit, përkrahës i presidentit amerikan, Donald Trump, do të rrezikonte ta izolojë vendin ndërkombëtarisht, të gërryejë investimet private dhe të destabilizojë krahun lindor të NATO-s.
Votimi në Rumani zhvillohet gati gjashtë muaj pasi raundi fillestar u anulua për shkak të pretendimeve për ndërhyrje ruse – të mohuara nga Moska – në favor të kandidatit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, të cilit iu ndalua të kandidonte sërish.
LEXONI GJITHASHTU:
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
Rreth 90 serbë dëbohen nga aeroporti i Tivatit, policia malazeze i cilëson rrezik për sigurinë
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta