Rusia zotohet për ofensivë të re në rajonet e pushtuara

31 Gusht 2025 | 09:57

Ndërsa Kievi, aleatët e tij evropianë dhe Uashingtoni po vazhdojnë të kërkojnë gjetjen e një mënyre për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rusia ka shpalosur plane për një ofensivë të re në vjeshtë.

Shefi i ushtrisë ruse ka njoftuar se ushtria po i përcakton synimet e ardhshme për forcat ushtarake të Kremlinit.

“Sot, po përcaktojmë detyrat për grupet e forcave të armatosura që synojnë periudhën e vjeshtës”, tha më 30 gusht Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë.

“Grupi i kombinuar i trupave po vazhdon një ofensivë të pandërprerë përgjatë pothuajse gjithë vijës së frontit. Iniciativa strategjike është plotësisht në duart e forcave ruse”, shtoi Gerasimov.

Ai pretendoi se 99.7 për qind e rajonit Luhansk është nën kontrollin e forcave ruse, bashkë me 79 për qind të Donjeckut, 76 për qind të Hersonit dhe 74 për qind të Zaporizhjas.

Nuk është e mundur të vërtetohen në mënyrë të pavarur këto pretendime të ushtrisë ruse.

Kremlini pretendon se i ka aneksuar këto katër rajone të Ukrainës.

Ukraina është zotuar se nuk do ta dorëzojë asnjë copë të tokës së vet sovrane në duart e Rusisë në ndonjë marrëveshje për paqe në të ardhmen.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Viktor Trehubov, i kundërshtoi pretendimet e rusëve, duke thënë për televizionin ukrainas se forcat e Kievit po korrin sukses në frenimin e trupave armike në rajonet e Donjeckut dhe Dnipropetrovskut.

“Pavarësisht veprimeve agresive, pavarësisht suksesit në disa pika në ushtrimin e presionit mbi pozicionet ukrainase, Rusia nuk ka arritur asnjë fitore të shpejtë”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u shpreh më pak i sigurt se mund ta organizonte një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, por theksoi se një takim trepalësh, ku do të merrte pjesë dhe ai, është ende i mundur.

“Ne kaluam mirë”, tha Trump për Putinin në një intervistë me faqen konservatore Daily Caller.

“E patë, kemi pasur marrëdhënie të mirë ndër vite, shumë të mirë, në fakt”, shtoi ai.

“Prandaj, mendova vërtet se do t’i kishim dhënë fund kësaj pune”, tha ai, duke iu referuar një takimi dypalësh Putin-Zelensky. “Do të kisha dashur shumë të ishte realizuar”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Studimi: Emigracioni ka nxitur ndjeshëm rritjen ekonomike në vendet e pasura

Kombet e pasura me shkallën më të lartë të emigracionit gjatë 35 viteve të fundit përfituan një përfitim të madh ekonomik dhe shumë prej tyre...
13:52 | 25/06/2026

Shkon në 5 numri i viktimave nga vala e të nxehtit në Itali, temperaturat priten të kalojnë 40 gradë

Të paktën pesë persona kanë vdekur ditët e fundit për shkak të valës së të nxehtit që ka goditur Italinë. Viktimat punonin në sektorin bujqësor dhe në...
13:51 | 25/06/2026

Danimarka miraton vendosjen e misionit në Ngushticën e Hormuzit

Parlamenti danez miratoi të enjten vendosjen e kontributeve në një mision shumëkombësh në Ngushticën e Hormuzit, sipas mediave vendase. Ligjvënësit vendosën që Danimarka do të...
13:36 | 25/06/2026