Rutte: Aleatët e NATO-s në rrugën e duhur për t’u barazuar me SHBA-në në shpenzimet për mbrojtje

6 Korrik 2026 | 20:06

Në prag të samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, tha të hënën se anëtarët evropianë dhe Kanadaja janë në rrugën e duhur për t’i sjellë shpenzimet e tyre për mbrojtjen në të njëjtin nivel me ato të Shteteve të Bashkuara.

Uashingtoni vazhdimisht e ka kritikuar Evropën për shpenzimet e pamjaftueshme ushtarake, duke i cilësuar këtë si “përfitim falas” nga mbrojtja kolektive.

Duke folur në kryeqytetin turk, pak para nisjes së samitit dyditor të NATO-s më 7–8 korrik, Rutte tha gjithashtu se aleanca “duhet të vazhdojë të sigurohet se Ukraina do ta marrë atë që i nevojitet”, pas një tjetër sulmi shkatërrues rus në dhe rreth Kievit të hënën, ku humbën jetën të paktën 21 njerëz.

Samiti i Ankarasë synon të vlerësojë ecurinë e 32 vendeve aleate në përmbushjen e cakut, të vendosur vitin e kaluar në Hagë, për të shpenzuar 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2035.

Meqë disa vende mezi këtë vit e arritën cakun e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së, Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar trysni ndaj vendeve evropiane që të paraqesin plane të besueshme se si do ta arrijnë cakun e ri brenda një dekade.

“Një rrugë e njëanshme”

Vetëm javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i cili prej kohësh ka shprehur skepticizëm ndaj aleancës, vuri sërish në pikëpyetje NATO-n në një postim në rrjetet sociale, duke shkruar se është “absurde që SHBA-ja të vazhdojë në këtë rrugë të njëanshme, kur marrëdhënia nuk është dypalëshe”.

Ai publikoi gjithashtu një grafik që tregonte se Uashingtoni shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa çdo aleat tjetër evropian.

Kjo pason kritika të ngjashme të shprehura nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë takimit me homologët e tij të NATO-s në Bruksel muajin e kaluar. Ai i akuzoi disa vende se “po përfitojnë falas” nga aleanca dhe kritikoi të tjera që nuk lejuan përdorimin e bazave të tyre ajrore nga avionët amerikanë gjatë fushatës ushtarake të SHBA-së kundër Iranit në fillim të këtij viti.

Në atë takim, Hegseth premtoi gjithashtu një rishikim gjashtëmujor të pranisë së trupave amerikane në Evropë, duke deklaruar se “disa vende do të dështojnë, ndërsa të tjerat do ta kalojnë testin me rezultate të shkëlqyera”, duke lënë të kuptohet se një pjesë e rreth 80 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në Evropë mund të tërhiqen nga vendet që shpenzojnë më pak për mbrojtjen.

Rutte, i cili është përpjekur të ruajë marrëdhënie të ngushta me Trumpin për ta mbajtur të bashkuar aleancën, tha se aleatët evropianë dhe Kanadaja “tashmë po investojnë rreth 4 për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje dhe siguri”, duke shtuar se kjo ka sjellë 258 miliardë dollarë investime shtesë në mbrojtje gjatë dy vjetëve të fundit.

Sipas Ruttes, kjo prirje do të thotë se 31 anëtarët e tjerë të NATO-s janë tashmë “në binarë për t’i barazuar shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të Shteteve të Bashkuara”.

Ish-kryeministri holandez vlerësoi gjithashtu Trumpin, duke thënë se ai është presidenti i parë amerikan që nga Dwight D. Eisenhower në vitet 1950 që ka arritur “këtë barazim”.

Ukraina kërkon më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore

Pritet që Ukraina të jetë gjithashtu një nga temat kryesore të agjendës së NATO-s gjatë tubimit të udhëheqësve.

Pas sulmeve më të fundit ruse të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të marrë pjesë në disa pjesë të samitit, u bëri thirrje vendeve anëtare përmes një postimi në rrjetet sociale që t’i ofrojnë Kievit më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, veçanërisht raketa Patriot.

Ndërsa u bëri thirrje aleatëve të shtojnë mbështetjen, Rutte pranoi se Perëndimi ka pak mundësi për të forcuar menjëherë mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

“Nga një këndvështrim praktik, ekziston një kufi i numrit të raketave interceptuese në territorin e NATO-s dhe për këtë arsye duhet të prodhojmë më shumë”, tha ai. “Po punojmë në çdo drejtim; të gjithë janë të përfshirë në këtë përpjekje”.

Duke qenë se ka pak gjasa që Ukraina të marrë së shpejti sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, ekziston shpresa se Kievi mund të sigurojë në Ankara një marrëveshje licencimi që do t’i lejonte prodhimin e këtyre sistemeve ose komponentëve të tyre brenda vendit.

Ndërkohë, udhëheqësit e NATO-s pritet ta miratojnë edhe komunikatën përfundimtare të samitit, e cila parashikon një angazhim prej 70 miliardë eurosh në mbështetje dypalëshe dhe institucionale për Ukrainën gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

15 të vdekur nga shembja e minierës së arit në Sudanin Jugor

Të paktën 15 punëtorë u vranë në shembjen e një miniere ari në Sudanin verior të hënën, tha një kompani shtetërore. Kompania Sudaneze e Burimeve...
19:32 | 06/07/2026

Reagime të ashpra ndaj FIFA-s, pse vendimi për Balogun cilësohet i paprecedentë

Vendimi i FIFA-s për të pezulluar zbatimin e kartonit të kuq të sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, duke i mundësuar atij të luajë...
19:17 | 06/07/2026

Rritet në 22 numri i viktimave nga sulmi rus ndaj Kievit

Numri i të vdekurve nga sulmi i fundit rus me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës është rritur në 22, sipas autoriteteve ukrainase. Kryeqyteti Kiev ishte...
19:15 | 06/07/2026