Samiti i NATO-s në Ankara, nis dita e dytë! Liderët botërorë diskutojnë nga lufta në Iran deri te ajo në Ukrainë! Rama takim me Rutte dhe Erdogan
Këtë të mërkurë po vijojnë punimet për samitin e NATO-së teksa prej dy ditësh liderët dhe fokusi botëror është përqëndruar në Ankara. Në ditën e dytë të samitit, takimet kanë nisur teksa është shkrepur edhe fotoja familjare.
Mes liderëve botërorë, është edhe kryeministri Edi Rama i cili ka mbërritur në samit i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe ministri i Brendshëm, Ermal Nufi. I pranishëm gjithashtu ishte ambasadori i Shqipërisë në NATO, Bardhyl Kollçaku.
Rama ka ndarë pamje në rrjetin e tij social “Facebook” nga momenti i mbërritjes teksa u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte me të cilin zhvilloi edhe një takim. Rama pati takim edhe me presidentin turk Erdogan.
Krah Ramës në foton familjare është presidenti Erdogan, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe liderë të tjerë si presidenti amerikan, Donald Trump. Në foto shihen edhe kryeministrat e Britanisë, Italisë, Greqisë, Spanjës etj. Pas fotos, samiti do të vijojë me takimet dhe axhendën e saj.
Udhëheqësit e NATO-s, përfshirë Trumpin, pritet të riafirmojnë angazhimin e tyre për mbrojtje kolektive në samit. Udhëheqësit evropianë kanë qenë të etur të tregojnë se janë të përkushtuar ndaj shpenzimeve të mbrojtjes dhe zhvendosjes së varësisë për sigurinë e Evropës nga SHBA-të, pasi Trump e kritikoi vazhdimisht aleancën dhe u bëri thirrje aleatëve të “përparojnë”.
Shkëmbimi i ri i sulmeve midis SHBA-së dhe Iranit ka të ngjarë të jetë një pikë kryesore diskutimi sot, me sigurinë në Ngushticën e Hormuzit që pritet të jetë në axhendë. Trump ka kritikuar vazhdimisht vendet e NATO-s për refuzimin e tyre për t’u përfshirë në luftën SHBA-Izrael me Iranin.
Ai më parë ka qortuar personalisht disa udhëheqës evropianë që marrin pjesë në samit, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe aleatin e tij të dikurshëm Meloni.
Pikat kryesore nga dita e parë e samitit të NATO-s përfshinin deklaratën e Trump se së shpejti do të vendoste nëse do t’i shiste Turqisë avionë luftarakë F-35 dhe përsëritjen se do të donte që vendi i tij të kontrollonte Groenlandën. Gjithashtu në fokus do të jetë edhe lufta në Ukrainë.
Trump e quajti gjithashtu kryeministren italiane Giorgia Meloni një “person të mirë” pavarësisht se sugjeroi gjatë fundjavës se kishte nevojë për një urdhër kufizues për të.
Lajm në përditësim…
4 aleatë të NATO-s do të porosisin raketa mbrojtëse ajrore nga prodhuesi amerikan për të mbështetur Ukrainën
Disa aleatë të NATO-s kanë njoftuar se do të porosisin raketa mbrojtëse ajrore Patriot për Ukrainën direkt nga prodhuesi në Shtetet e Bashkuara, gjë që vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me mungesë municionesh për t’iu kundërvënë sulmeve ruse në shkallë të gjerë.
Përveç mbështetjes së programit mbarë-NATO-s për koordinimin e donacioneve të pajisjeve të përparuara ushtarake amerikane, katër vende – Kanadaja, Danimarka, Gjermania dhe Norvegjia – njoftuan iniciativën për të porositur më shumë raketa drejtpërdrejt.
Norvegjia tha se do të ofrojë 307 milionë dollarë shtesë për të forcuar sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e gjatë të dorëzimit për disa nga këto raketa, Norvegjia gjithashtu planifikon të sigurojë raketa Patriot nga vendet që i kanë tashmë ato për të lehtësuar dhurimin e shpejtë për Ukrainën”, tha Ministria e Mbrojtjes e vendit në një deklaratë.
“Ukraina po arrin të ndalojë shumicën e dronëve dhe raketave kruz, por duhet të forcojë mbrojtjen e saj kundër raketave balistike.
Ky është një nga prioritetet më urgjente të Ukrainës. Prandaj, Norvegjia tani po ofron 3 miliardë korona norvegjeze për mbrojtjen ajrore”, tha kryeministri Jonas Gahr Store në një deklaratë. Store sapo u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Ankara.
Samiti i NATO-s, Erdogan: Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë për arritjen e marrëveshjes SHBA-Iran
Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdoğan theksoi mbështetjen e Turqisë për Ukrainën si dhe bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit. Gjatë fjalës së tij në Samitin e NATO-s në Ankara, Erdoğan vlerësoi shumë rezolutat e presidentit Trump për tu siguruar që kriza në Iran të zgjidhet, ndërkohë që shprehi gadishmërinë e Turqisë për kontribut për të pastruar Hormuzin nga shpërthimet.
“Unë ndaj vizoni e Trump për paqen dhe të theksoj mbështetjen time për nismat e mbështetëse. Në përfitojmë dhe nga kanalet e komunikimit për të drejtuar Rusinë drejt paqes. Unë e vlerësoj shumë qëndrimin e vendosur të mikut tim Trump për të garantuar që kriza e Iranit të përfundojë me një marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për sabotazh. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për të pastruar Hormuzin. Dua ti shpreh falënderimet mbështetjes së NATO-s për raketat që shënjestrojnë Turqinë dhe shtete të tjera që kanë aktivizuar bateri raketash shtesë”, u shpreh Erdogan.
Evropa do të investojë 50 miliardë dollarë në armë me rreze të gjatë
Vendet evropiane anëtare të NATO-s pritet të investojnë 50 miliardë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për zhvillimin e armëve me goditje precize me rreze të gjatë, në një nismë të re të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar.
Plani prezantohet në Samitin e NATO-s në Ankara nga kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili do të mbledhë rreth një duzinë partnerësh evropianë për të nisur bashkëpunimin në zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake.
Sipas qeverisë britanike, fondi prej 50 miliardë dollarësh do të përdoret për zhvillimin e sistemeve moderne të goditjes me rreze të gjatë, të afta të godasin objektiva mbi 300 kilometra larg dhe, në disa raste, edhe më shumë se 2 mijë kilometra, me saktësi të lartë.
Nisma synon të forcojë aftësitë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, duke rritur njëkohësisht bashkëpunimin industrial dhe teknologjik mes vendeve evropiane. Londra thekson se investimi do t’i mundësojë Evropës të zhvillojë armë të gjeneratës së ardhshme dhe të ketë një rol më të madh në sigurinë e Aleancës.
Britania e Madhe ka angazhuar tashmë 3 miliardë paund deri në vitin 2030 për zhvillimin e kapaciteteve të saj të goditjes me rreze të gjatë dhe, në kuadër të kësaj nisme, do të bashkëpunojë me Gjermaninë, Francën dhe Italinë në projekte për zhvillimin e raketave hipersonike dhe sistemeve të avancuara të sulmit.
Kryeministri Starmer deklaroi se një NATO më e fortë dhe me një rol më të madh evropian është thelbësore për sigurinë e kontinentit, ndërsa theksoi se lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë vendimtare të armëve me rreze të gjatë në fushën e betejës.
Sipas qeverisë britanike, programi do ta vendosë zhvillimin e kapaciteteve të goditjes precize në qendër të agjendës së NATO-s gjatë vitit të ardhshëm, me synimin për të rritur aftësinë e aleancës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ardhshme.
Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare
Këtë të mërkurë po vijojnë punimet për samitin e NATO-së teksa prej dy ditësh liderët dhe fokusi botëror është përqëndruar në Ankara. Në ditën e dytë të samitit, takimet kanë nisur teksa është shkrepur edhe fotoja familjare.
Mes liderëve botërorë, është edhe kryeministri Edi Rama i cili ka mbërritur në samit i shoqëruar nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe ministri i Brendshëm, Ermal Nufi.
Krah Ramës në foto është presidenti turk Erdogan, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe liderë të tjerë si presidenti amerikan, Donald Trump. Në foto shihen edhe kryeministrat e Britanisë, Italisë, Greqisë, Spanjës etj. Pas fotos, samiti do të vijojë me takimet dhe axhendën e saj.
Trump kritika ndaj Iranit: Të këqinj dhe të sëmurë, shkelën armëpushimin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump këtë të mërkurë kritikoi ashpër Iranin duke i cilësuar si “njerëz të këqij dhe të sëmurë”, ndërsa marrëveshja e tij paraprake me Teheranin duket se po shkon drejt dështimit.
Duke folur në fillim të një samiti të NATO-s në Turqi, Trump e quajti Iranin si “lojtarë të ndyrë” për shënjestrimin e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur armëpushimin.
Komentet e fundit të presidentit amerikan pasuan njoftimin e Gardës Revolucionare Islamike se kishte nisur sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt në përgjigje të sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit.
Trump tha se SHBA-të po humbisnin kohë duke folur me Iranin dhe shprehu dëshirën për të bërë punën e tyre në vend që të përpiqeshin të ndiqnin diplomacinë.
“Duhet t’ua heqim qafe kancerin, kancerin e tyre. Dhe e dini çfarë bëni? Duhet ta parandaloni kancerin herët. Dhe kështu ndihem unë”, tha ai.
Rama, Macron dhe Meloni nuk folën për mediat, gazetari i Euronews Albania zbërthen prapaskenat në samitin e NATO-s
Gazetari i Euronews Albania, Xhemajl Rexha në një lidhje live nga Ankaraja ka zbuluar prapaskenat e mbërritjes së liderëve në samitin e NATO-s dhe arsyet pse disa prej tyre zgjodhën të mos përballen me mediat.
Ai theksoi se rreth 90% e liderëve folën për mediat teksa shtoi se kryeministri Edi Rama, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni ishin ndër të paktët që nuk dhanë deklarata publike.
Rexha shtoi se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte nënvizoi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare. Ai gjithashtu përcolli një mesazh të prerë për presidentin rus Vladimir Putin, duke e paralajmëruar që të mos provokojë apo sulmojë asnjë vend anëtar të aleancës. Rutte arsyetoi gjithashtu sulmet e fundit të SHBA-së ndaj Iranit për të garantuar që ky i fundit të mos zotërojë armë bërthamore
Sipas tij, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u tregua mjaft diplomatik kur u pyet nga gazetarët turq lidhur me furnizimin me armë të Turqisë dhe marrëdhëniet dypalëshe, duke deklaruar se ndihet gjithmonë mirë kur viziton Ankaranë.
“Shumë liderë të tjerë që kanë folur duke nisur Esmeralda i pari sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, i cili u ka thënë gazetarëve që pritet të jetë një samit i suksesshëm. Ka thënë të kenë durim ta presin deklaratën në fund për t’i parë shpenzimet që i kanë rritur të gjitha vendet anëtare falë insistimit të Amerikës dhe të SHBA-së. Ka folur për Iranin, e ka arsyetuar sulmin e ri të SHBA-së kundër Iranit, pasi që ka thënë që nuk duhet lejuar asnjëherë që Irani të ketë armë bërthamore dhe që gjithashtu Gjiri i Hormuzit duhet të hapet.
Sërish në fokus vjen Groenlanda. Kryeministrja e Danimarkës ka folur, ka thënë që edhe ajo e Islandës gjithashtu ka thënë që ka përkrahje të plotë për sovranitetin e Danimarkës, në kuptim që i takon mbretërisë, Danimarkës.
Por ka folur edhe kryeministri grek. Shumë deklarata të forta të disa prej liderëve, sidomos kundër Rusisë. Sekretari Rutte, Esmeralda, e ka porositur Rusinë sepse kështu ka qenë pyetja ka porositur presidentin Putin të Rusisë që të mos provojë të luajë me NATO-n, të mos provojë të sulmojë vendet anëtare të NATO-s, NATO-ja do të fitojë.
E harrova ta përmend, as kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni nuk ka dalë për deklaratë. Dhe se si nisi, shumica dërmuese, 90% e liderëve dolën, dhe menduam njëherë që do të jetë zoti Rama i vetmi që nuk do të flasë, por as Meloni, as Spajiq, as Macron, në mesin e vetëm pak liderëve nga 32 shtetet anëtare që nuk kanë folur. Shumica kanë dhënë deklarata të forta për unitetin brenda aleancës”, tha ai ndër të tjera.
SHBA armatos Turqinë! Reagimi i parë i kryeministrit grek në Ankara
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis,i pyetur në samitin e NATO-s në Ankara, ka refuzuar të japë një koment për marrëveshjen e diskutuar ushtarake mes Turqisë dhe SHBA-së.
Ditën e djeshme, në nisjen e samitit presidenti Trump tha se po heq sanksionet dhe po shqyrton mundësinë që Turqia të ketë përsëri avionë luftarakë F-35 duke theksuar se SHBA-të duhet ta ndihmojnë Turqinë si një vend me rëndësi të madhe për SHBA-në sipas tij.
Ndërkaq, kryeministri grek në reagimin e tij tha se Greqia po përballet ende në një kërcënim lufte me Turqinë dhe një aleance të tillë i nevojitet mirëkuptim dhe bashkëpunim.
Sot, shënon dita e dytë e samitit të NATO-s dhe udhëheqësit e gjithe vendeve pjesëmarrëse kanë mbërritur në Kompleksin Presidencial të Ankarasë për seancën kryesore të mbledhjes.
“Nuk dua ti komentoj këto. Unë di që Presidenti Trump dhe Erdogan dhe gjithçka që mund të them është që një aleancë duhet bazuar në themelet e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Shteti im po përballet ende në një kërcënim lufte me Turqinë. Duhet të jemi koshient për faktin që sensitiviteti i të gjithë aleatëve të NATO-s duhet marrë në konsideratë sepse në fund të ditës jemi një aleancë ushtarake dhe besoj se çdo konflikt mund të zgjidhet me bashkëpunim dhe mirëkuptim”-tha Mitsotakis.
I veshur sportiv, Macron vrapon në rrugët e Ankarasë përpara samitit të NATO-s. Përshëndet kalimtarët
Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të mërkurë doli për vrap në rrugët e Ankarasë përpara fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s.
Macron vrapoi në Parkun Segmenler në lagjen Cankaya të qytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe pothuajse të gjitha ambasadat e huaja.
I shoqëruar nga ekipi i tij i sigurisë, Macron përshëndeti kalimtarët gjatë vrapimit. Macron gjatë ditës së sotme është planifikuar të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe pritet të zhvillojë takime dypalëshe përpara se të përfundojë ditën me një konferencë për shtyp.
Darka në Samitin e NATO-s mes Von der Leyen dhe Erdogan shkon me tensione mes palëve
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të diskutojë shumë më tepër sesa një darkë pune me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën në mbrëmje në Ankara. Analistët presin që ajo të përpiqet të balancojë mosmarrëveshjet mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë me rëndësinë gjeostrategjike që ka vendi.
Takimi zhvillohet në një moment delikat për marrëdhëniet mes BE-së dhe Turqisë. Von der Leyen do të duhet të gjejë ekuilibrin mes nevojës për bashkëpunim më të ngushtë me Ankaranë dhe shqetësimeve të vazhdueshme të Brukselit për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera politike.
Në darkën e punës do t’i bashkohet edhe Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa. Takimi pritet të zhvillohet në një atmosferë me tension të moderuar.
Në një aktivitet publik në prill, von der Leyen e përmendi Turqinë, së bashku me Rusinë dhe Kinën, teksa fliste për ndikimin e huaj në Evropë. Euronews e pyeti Komisionin Evropian nëse kjo deklaratë dhe çështje të tjera do të diskutoheshin gjatë takimit.
“Turqia është një partnere e rëndësishme për Bashkimin Evropian. Ne ndajmë interesa strategjike në një gamë të gjerë fushash dhe pres që këto të jenë ndër temat kryesore të diskutimit,” tha zëvendëszëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
Von der Leyen mban ende mend episodin e vitit 2021, i njohur si “Sofagate”, kur gjatë një vizite në Ankara mbeti pa një vend të barabartë në takimin me drejtuesit turq. Një muaj pas incidentit, ajo deklaroi se ishte ndier “e lënduar”.
Kur Euronews e pyeti se ku do të ulej këtë herë, Gill u përgjigj me humor: “Pres që të gjithë të ulen në tryezën e darkës, siç është e zakonshme në një darkë.”
Një mundësi për një fillim të ri
Eurodeputeti gjerman me origjinë turke, Engin Eroglu, e sheh takimin si një mundësi për të rifilluar marrëdhëniet.
“Pas mosmarrëveshjeve të viteve të fundit, ky takim synon mbi të gjitha rivendosjen e dialogut. Mendoj se Ursula von der Leyen dhe António Costa do të përpiqen të ulin tensionet dhe t’i japin marrëdhënies një drejtim më pragmatik, të përqendruar te siguria,” tha ai.
Eroglu përmendi edhe mundësinë e përfshirjes së Turqisë në programin evropian SAFE, me vlerë 150 miliardë euro, për financimin e industrisë së mbrojtjes.
Megjithatë, pjesëmarrja e plotë e Turqisë në këtë program është bllokuar nga Greqia dhe Qiproja. Si rezultat, Ankaraja mund të marrë pjesë vetëm deri në 35% të kostos së komponentëve në projekte të caktuara, njësoj si vendet që nuk kanë partneritet të posaçëm për sigurinë dhe mbrojtjen me BE-në.
Gjatë samitit të NATO-s, von der Leyen deklaroi përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte, se “ekziston një mundësi e madhe për bashkëpunim shumë të ngushtë”, pa dhënë më shumë detaje.
Kjo gatishmëri për të afruar Brukselin dhe Ankaranë përmes bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes është shfaqur edhe më herët.
Javën e kaluar, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, vizitoi Ankaranë së bashku me Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Komisionerin për Migracionin, Magnus Brunner. Një zyrtar i BE-së e cilësoi këtë si një “takim të nivelit të lartë”.
Vizita përfundoi me një deklaratë të përbashkët, ku të dyja palët riafirmuan angazhimin ndaj multilateralizmit, rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe përgjegjësisë së përbashkët për çështjet globale dhe rajonale.
Pas vizitës, Kallas shkroi në platformën X se “Turqia është një partner kyç për sigurinë, migracionin dhe energjinë, si dhe një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”
Bashkëpunimi nuk duhet të cenojë parimet
Eurodeputetja polake Joanna Scheuring-Wielgus, anëtare e Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Turqi në Parlamentin Evropian, tha për Euronews se Turqia mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partner i domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Me Shtetet e Bashkuara që po reduktojnë pjesërisht praninë e tyre në Evropë dhe me Turqinë që luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake për t’i bërë ballë agresionit rus, rëndësia strategjike e Ankarasë është rritur ndjeshëm.
Megjithatë, Scheuring-Wielgus theksoi se bashkëpunimi nuk duhet të bëhet në dëm të vlerave themelore të Bashkimit Evropian.
Ajo përmendi si shqetësime përkeqësimin e demokracisë në Turqi, kufizimin e lirisë së medias, shtypjen e kritikëve të qeverisë dhe presionin ndaj opozitës.
Sipas saj, situata arriti një pikë kritike në mars, kur autoritetet turke arrestuan Ekrem İmamoğlu, kryebashkiakun e Stambollit dhe një nga rivalët kryesorë politikë të Presidentit Erdoğan.
“Çdo përparim i besueshëm në marrëdhëniet BE-Turqi varet nga përmirësime konkrete në këto fusha, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit dhe masave të reja kundër partisë kryesore opozitare, CHP-së,” tha ajo.
“Këto nuk janë elemente dytësore të partneritetit tonë, por vetë themeli i projektit evropian. Ky mesazh duhet të jetë i qartë dhe i vazhdueshëm, si në politikat tona të brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet me aleatët dhe vendet kandidate.”
Ndërkohë, drejtoresha për Turqinë në organizatën Human Rights Watch, Emma Sinclair-Webb, deklaroi se rreth 200 persona u arrestuan përpara fillimit të samitit të NATO-s.
Sipas saj, Presidenti Erdoğan “mund të mbështetet në faktin se nga partnerët evropianë të Turqisë do të dëgjojë shumë pak kritika”, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vend.
Shefi i NATO-s përshëndet rritjen prej 258 miliardë dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes të Evropës dhe Kanadasë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe kanadezë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka akuzuar prej kohësh aleatët evropianë të NATO-s se nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen, diçka që ata kanë qenë të etur ta kundërshtojnë.
Përpara samitit të NATO-s në Ankara, Rutte tha se 258 miliardë dollarë shpenzime shtesë nga Kanadaja dhe Evropa në vitet 2025 dhe 2026 ishin “të habitshme”.
“Kur shikoni industrinë e mbrojtjes – në të dyja anët e Atlantikut – po flasim për pothuajse 200,000 vende pune në SHBA të mbështetura nga investimet evropiane dhe kanadeze”, tha Rutte. Krijimi i vendeve të punës në Evropë dhe Kanada kishte ardhur gjithashtu drejtpërdrejt si rezultat i investimeve në industrinë e mbrojtjes, tha ai.
Ndërsa samiti i NATO-s i vitit të kaluar në Hagë të Holandës kishte të bënte me “planifikimin” dhe “caktimin e synimeve”, Rutte tha se samiti i këtij viti “ka të bëjë me zbatimin, me kryerjen e tij”.
Frederiksen nga Ankaraja: Danimarka është gati të mbrojë çdo centimetër të NATO-s
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të mërkurën në Ankara se Danimarka është gati të mbrojë çdo centimetër të NATO-s, përfshirë mbretërinë e Danimarkës. Kjo deklaratë e saj erdhi një ditë pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti se Groenlanda duhet të kontrollohet nga SHBA-të.
“Jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të NATO-s, përfshirë territorin tonë… Sigurisht që do ta mbrojmë mbretërinë e Danimarkës”, tha Frederiksen duke përsëritur se Groenlanda nuk ishte në shitje.
“Një nga arsyet pse e kemi ndërtuar NATO-n shumë, shumë vite më parë, është se nëse i ndodh diçka njërit prej nesh, atëherë të gjithë duhet të mbrojnë njëri-tjetrin”, tha ajo.
Pohimet e Trump se SHBA-të duhet të fitojnë ose kontrollojnë Groenlandën, një territor gjysmëautonom danez, kanë tensionuar prej kohësh marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Kopenhagenit – të dyja anëtare themeluese të NATO-s – dhe në përgjithësi lidhjet e SHBA-së me Evropën.
Pse shitja e avionëve luftarakë F-35 Turqisë është e diskutueshme
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se po shqyrton shitjen e avionëve luftarakë F-35 Turqisë, një veprim që kundërshtohet nga Izraeli dhe që do të përmbyste një ndalim të ratifikuar me ligj gjatë mandatit të tij të parë.
Ja pse një shitje e tillë do të ishte e diskutueshme:
• Në vitin 2019, Turqia – një aleate e NATO-s – bleu një sistem rus të mbrojtjes nga raketat të projektuar për të rrëzuar një F-35.
• S-400, i konsideruar si përgjigjja më e afërt e Rusisë ndaj sistemit të mbrojtjes ajrore Patriot të SHBA-së, është cilësuar si i aftë të rrëzojë avionë në një distancë deri në 240 km dhe të ndërpresë raketa balistike deri në 38 milje larg.
• SHBA-të iu përgjigjën blerjes së vitit 2019 duke vendosur sanksione ndaj Turqisë dhe duke e pezulluar vendin nga programi i avionëve luftarakë F-35, për shkak të shqetësimeve se avioni i saj i fshehtë mund të kompromentohej nga radari i përparuar i S-400.
Në atë kohë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së tha se blerja do të “rrezikonte sigurinë e teknologjisë ushtarake amerikane”.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë gjithashtu se kishte shqetësime të mëdha se S-400 mund të mblidhte të dhëna teknike mbi aftësitë e F-35 dhe se informacioni kritik mund t’i kalohej Moskës. Ankaraja tha se shqetësimet se S-400 do të krijonte dobësi në mbrojtjen e NATO-s ishin të pabaza.
Në atë kohë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, po i thellonin lidhjet. Ndërkohë, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit kishin qenë prej kohësh në konflikt .
Tani, Trump i është referuar vazhdimisht Erdoganit si “një mik” dhe, nga Ankaraja të martën, tha se Turqia “ka qenë në shumë mënyra shumë më besnike sesa vendet e tjera që ne mendojmë se do të ishin besnike”.
Ai tha gjithashtu se do të hiqte sanksionet ndaj Turqisë. Por se si saktësisht planifikon Trump të anashkalojë ndalimin e Kongresit për shitjen e avionëve luftarakë mbetet e paqartë.
Çfarë pritet nga Samiti i NATO-s sot në Ankara
Pikat kryesore nga dita e parë e samitit të NATO-s përfshinin deklaratën e Presidentit Donald Trump se së shpejti do të vendoste nëse do t’i shiste Turqisë avionë luftarakë F-35 dhe përsëritjen se do të donte që vendi i tij të kontrollonte Groenlandën .
Trump e quajti gjithashtu kryeministren italiane Giorgia Meloni një “person të mirë” pavarësisht se sugjeroi gjatë fundjavës se kishte nevojë për një urdhër kufizues për të.
Ja çfarë do të shohim sot, ndërsa fillon seanca kryesore:
“Angazhim i hekurt”: Udhëheqësit e NATO-s, përfshirë Trumpin, pritet të riafirmojnë angazhimin e tyre për mbrojtje kolektive në samit. Udhëheqësit evropianë kanë qenë të etur të tregojnë se janë të përkushtuar ndaj shpenzimeve të mbrojtjes dhe zhvendosjes së varësisë për sigurinë e Evropës nga SHBA-të, pasi Trump e kritikoi vazhdimisht aleancën dhe u bëri thirrje aleatëve të “përparojnë”. Trump kishte menduar të mos merrte pjesë fare në samit.
Shpenzimet për mbrojtjen: Vitin e kaluar, krerët e shteteve të NATO-s u zotuan që qeveritë e tyre do të shpenzonin 5% të PBB-së për aktivitete mbrojtëse dhe sigurie deri në vitin 2035. Anëtarët e NATO-s ranë dakord se rritja ishte e nevojshme për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm ndaj NATO-s nga Rusia dhe terrorizmi global. Por disa anëtarë po përpiqen të përmbushin edhe objektivat aktuale prej 2% dhe kanë paralajmëruar se mund të mos jenë në gjendje – ose të gatshëm – të rrisin shpenzimet. Kjo ka të ngjarë të jetë një pikë e rëndësishme pengese duke pasur parasysh fokusin e Trump te shpenzimet.
Dje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se vendet anëtare po nënshkruanin marrëveshje mbrojtjeje me vlerë “fjalë për fjalë miliarda dollarë” në samit.
Tërheqja e forcave amerikane nga Evropa: Trump më parë ka kërcënuar të tërheqë disa forca amerikane nga Evropa, dhe Pentagoni tashmë ka anuluar dy vendosje në Evropë dhe ka urdhëruar largimin e personelit tjetër nga kontinenti. Dje, Trump nuk pranoi të thoshte nëse planifikon të njoftojë reduktime shtesë të trupave amerikane. Ndërkohë, Rutte tha se Evropa është një partnere më e fortë për SHBA-në sesa ishte pesë vjet më parë.
Lufta në Ukrainë: Trump dje shprehu optimizëm mbi perspektivat për një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, pavarësisht se tha se asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me konfliktin. Lufta e Rusisë do të jetë një pikë qendrore e axhendës së sotme. Ukraina ka pasur vështirësi në përballimin e sulmeve ajrore masive vdekjeprurëse të Rusisë për shkak të mungesës akute të raketave Patriot në Kiev, dhe Zelensky ka përsëritur thirrjen e tij që aleatët ta furnizojnë Ukrainën me këto raketa.
Lufta e Iranit: Shkëmbimi i ri i sulmeve midis SHBA-së dhe Iranit ka të ngjarë të jetë një pikë kryesore diskutimi sot, me sigurinë në Ngushticën e Hormuzit që pritet të jetë në axhendë. Trump ka kritikuar vazhdimisht vendet e NATO-s për refuzimin e tyre për t’u përfshirë në luftën SHBA-Izrael me Iranin. Ai më parë ka qortuar personalisht disa udhëheqës evropianë që marrin pjesë në samit, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe aleatin e tij të dikurshëm Meloni.
Çmimet e naftës rriten pas sulmeve të reja të SHBA-së ndaj Iranit
Çmimet e naftës u rritën pasi SHBA-të nisën sulme të reja kundër Iranit në hakmarrje për sulmet e tij ndaj anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosën sanksionet mbi eksportet e naftës.
Kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar Brent, indeksi global i referencës, u rritën me 5.8% në 76.2 dollarë për fuçi në orën 1:00 të mëngjesit ET. Çmimi i papërpunuar WTI, indeksi amerikan i referencës, u rrit me 2.75% në 72.38 dollarë për fuçi.
Tensionet e ripërtërira nënvizojnë natyrën e brishtë të marrëveshjes paraprake kornizë të arritur nga të dy vendet, të cilat kanë parë shpërthime të armiqësive në mënyrë të përsëritur gjatë disa javëve të fundit.
Në përgjigje të sulmeve të reja amerikane, Irani akuzoi SHBA-në për shkelje të memorandumit të mirëkuptimit, ndërsa u zotua të jepte një ” përgjigje shkatërruese “.
NATO në krah të SHBA për sulmet në Iran, Rutte: U prish armëpushimin në Hormuz, duhet të reagojmë me forcë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbështetur sulmet e fundit të SHBA-së ndaj Iranit, duke u thënë gazetarëve përpara samitit të NATO-s në Ankara të mërkurën se veprimi ushtarak ishte “absolutisht i nevojshëm”.
“Kur ke një armëpushim dhe Irani praktikisht e shkel armëpushimin – kemi parë çfarë ndodhi dje me sulmet ndaj anijeve – mendoj se është absolutisht e domosdoshme që SHBA-të të reagojnë me forcë”, tha Rutte.
Rutte tha se programi bërthamor i Iranit do të jetë në rendin e ditës në sesionin kryesor të sotëm të NATO-s. “Pres që aleatët sot të rikonfirmojnë se Irani nuk duhet të marrë kurrë në dorë një kapacitet bërthamor”, tha Rutte.
Liria e lundrimit do të diskutohet gjithashtu pasi “hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për të gjithë 32 aleatët”, shtoi ai.
4 aleatë të NATO-s do të porosisin raketa mbrojtëse ajrore nga prodhuesi amerikan për të mbështetur Ukrainën
Barcelona heq asfaltin për t’i rikthyer hapësirat natyrës dhe për t’iu përshtatur valëve të të nxehtit
A mund ta ndërpresë Trump në mënyrë të njëanshme tregtinë me Spanjën?
- 13:40 4 aleatë të NATO-s do të porosisin raketa mbrojtëse ajrore nga prodhuesi amerikan për të mbështetur Ukrainën
- 13:30 Barcelona heq asfaltin për t’i rikthyer hapësirat natyrës dhe për t’iu përshtatur valëve të të nxehtit
- 13:26 Historia e heroit të mitologjisë greke Odisesë rikthehet në ekranet botërore
- 13:25 Belgjika arrin në çerekfinale, por Kupa e Botës ka mbaruar për mesfushorin Onana
- 13:15 Mrekulli nën rrënoja në Venezuelë, nëna dhe fëmijët nxirren të gjallë 11 ditë pas tërmetit
- 13:13 A mund ta ndërpresë Trump në mënyrë të njëanshme tregtinë me Spanjën?