Schmidt pezullon financimin buxhetor për partinë e Dodikut

24 Prill 2025 | 13:43

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për t’i pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Millorad Dodiku, dhe për partinë politike Sërpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Sërpska.

Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha të enjten se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet – nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal – duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.

“Të gjitha fondet për këto parti, në të gjitha nivelet e pushtetit, do të pezullohen dhe do të ridrejtohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të BeH,” tha Schmidt.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai gjithashtu e ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Sërpska e Bashkuar, Nenad Stevandiç, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.

Kjo do të thotë që secila nga gjithsej 16 agjencitë policore në të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje duhet t’i arrestojë ata, gjë që deri më sot nuk është bërë.

Schmidt theksoi se me vendimin që ka imponuar, synon t’i mbështesë përpjekjet e institucioneve të Bosnjës për t’iu kundërvënë “sulmeve flagrante të koalicionit qeverisës të RS-së, të udhëhequr nga SNSD-ja dhe Sërpska e Bashkuar, ndaj parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues-juridik të Bosnjës”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dy tërmete godasin jugun e Italisë, sa ishin magnitudat?

Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë u regjistrua nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) pak pas mesnatës, me epiqendër në Pizzone, një komunë...
10:02 | 25/07/2026

Sulmet ruse në Ukrainë lënë 15 të vrarë, raketat godasin ekspozitën e dronëve pranë Kievit

Sulmet e reja ruse në Ukrainë kanë lënë të paktën 15 të vdekur, përfshirë 10 nga një sulm me raketa balistike në një ekspozitë pranë...
09:22 | 25/07/2026

Ujërat e Danubit bie në nivele historike, thatësira zbulon anijet e fundosura të Luftës së Dytë Botërore në Serbi e Kroaci (VIDEO)

Dhjetëra anije në një marinë në qytetin verior serb të Novi Sadit po lundronin në një llum të gjelbër, e vetmja gjë që mbeti pasi...
09:06 | 25/07/2026