Seuli: Pheniani ka dërguar forca ushtarake në Rusi për luftën në Ukrainë

19 Tetor 2024 | 08:25

SEUL – Agjencia e zbulimit e Koresë së Jugut tha të premten se Koreja e Veriut ka dërguar forca ushtarake në Rusi, për ta ndihmuar në luftën e saj kundër Ukrainës. Nëse informacioni konfirmohet, ky veprim përfshin një shtet të tretë në luftë dhe intensifikon përplasjen ndërmjet Koresë së Veriut dhe Perëndimit.

Njoftimi i Koresë së Jugut erdhi një ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se qeveria e tij ka informacion se 10,000 forca ushtarake nga Koreja e Veriut po përgatiten për t’iu bashkuar forcave ruse që po luftojnë kundër vendit të tij.

Shërbimi Kombëtar i Zbulimit, i njohur me shkurtesën NIS, njoftoi në një deklaratë se anijet e marinës ruse transferuan 1,500 pjesëtarë të forcave speciale të Koresë së Veriut në portin rus Vladivostok në periudhën 8-13 tetor. Sipas këtij shërbimi, forcat e Koresë së Veriut pritet të dërgohen së shpejti në Rusi.

Ushtarëve të Koresë së Veriut të dislokuar në Rusi u janë dhënë uniformat ushtarake ruse, armë dhe dokumente të falsifikuara identifikimi, sipas agjencisë NIS. Sipas shërbimit të Koresë së Jugut, ata po qëndrojnë aktualisht në bazat ushtarake në Vladivostok dhe vende tjera si Ussuriysk, Khabarovsk dhe Blagoveshchensk.
Sipas agjencisë së zbulimit NIS, ata besohet se do të dislokohen në fushëbetejë pasi të kenë përfunduar stërvitjet.

Në faqen e saj të internetit, NIS publikoi fotografi dhe pamje satelitore që tregojnë ato që shërbimi i zbulimit i quan lëvizje të anijes së marinës ruse në afërsi të një porti të Koresë së Veriut dhe grumbullime të dyshimta njerëzish në Ussuriysk dhe Khabarovsk javën e kaluar.

Mediat e Koresë së Jugut, duke cituar shërbimit e zbulimit NIS, njoftuan se Koreja e Veriut ka vendosur të dislokojë gjithsej 12,000 trupa, të shpërndarë në katër brigada, në Rusi. NIS tha se nuk mund t’i konfirmojë këto njoftime.

Nëse konfirmohet, ky veprim do të jetë pjesëmarrja e parë e madhe e Koresë së Veriut në një luftë të huaj. Koreja e Veriut ka 1.2 milionë trupa ushtarake, njërën prej ushtrive më të mëdha në botë, por nuk ka luftuar në ndonjë konflikt të shkallës së gjerë që nga Lufta Koreane në periudhën 1950-1953.

Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimet e tyre mbi pretendimet e Koresë së Jugut se Koreja e Veriut ka dërguar forcat e saj speciale për të luftuar në Rusi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

930 viktima nga shpërthimi i Ebolës në Kongo

Ministria e Shëndetësisë në Kongo njoftoi se të paktën 930 persona kanë vdekur nga shpërthimi i Ebolës, me 37 vdekje të reja të regjistruara në një...
10:32 | 20/07/2026

JD Vance bëhet baba për herë të katërt, lind fëmija i parë i një zv.presidenti në detyrë pas më shumë se 150 vitesh

Zëvendëspresidenti JD Vance dhe bashkëshortja e tij, zonja e dytë Usha Vance, njoftuan të dielën lindjen e fëmijës së tyre të katërt, i pari i...
10:18 | 20/07/2026

Pas muajsh tensionesh politike SHBA-Spanjë, Sanchez dhe Trump takohen në finalen e Kupës së Botës

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump u takuan ballë për ballë të dielën , pas gati dy vitesh tensionesh publike dhe...
09:59 | 20/07/2026