SHBA e shqetësuar rreth shtrirjes së ligjit kundër zbulimit në Kinë

3 Gusht 2023 | 20:45

SHBA kritikuan nismën e qeverisë kineze që nxit shtetasit e saj të marrin pjesë në aktivitete kundërspiunazhi. Departamenti i Shtetit tha të mërkurën, se nxitja e qytetarëve për të spiunuar njëri-tjetrin “është shumë shqetësuese”.

Këtë javë, Ministria e Sigurimit Shtetëror, agjencia kryesore e Kinës, që mbikëqyr inteligjencën e huaj dhe kundërzbulimin, publikoi një mesazh në faqen e rrjetit social kinez “WeChat”, duke thënë se zbatimi efektiv i ligjit për kundërzbulimin kërkon jo vetëm punën e agjencive të sigurisë kombëtare të Kinës, por edhe “pjesëmarrjen e gjerë të popullit”.

Deklarata e ministrisë pason zgjerimin e ligjit të ri të kundërzbulimit në Kinë, që hyri në fuqi më 1 korrik.

“Ne jemi duke vëzhguar nga afër zbatimin e ligjit të ri të Kinës kundër spiunazhit … i cili, siç është miratuar, zgjeron në masë të madhe fushën e aktiviteteve që konsiderohen spiunazh”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller gjatë një konference shtypi të mërkurën.

“Ne mbetemi të shqetësuar për rrezikun e arrestimeve dhe ndalimeve arbitrare në Republikën Popullore të Kinës, ashtu siç e kemi thënë edhe në deklaratën tonë paralajmëruese, për shtetasit që duan të udhëtojnë atje. Këto çështje janë ngritur edhe nga Sekretari i Shtetit në takimet me zyrtarët kinezë”, tha zoti Miller.

Qeveria e Pekinit në fillim të këtij viti ndryshoi ligjin e kundërzbulimit. Ligji i ri ndalon ndarjen e çdo informacioni në lidhje me sigurinë kombëtare. Por, ligji nuk përcakton në mënyrë të qartë se çfarë përfshihet në sigurinë, ose interesat kombëtare të Kinës.

Ky veprim mendohet se do të rrisë rreziqet për shumë kompani shumëkombëshe që bëjnë biznes në Kinë.

“Kjo më tmerron. Ministria e Sigurimit të Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve kinezë të marrin pjesë në përpjekjet kundër spiunazhit; me fjalë të tjera, spiunimi i bashkëqytetarëve dhe të huajve”, thotë Isaac Stone Fish, shef ekzekutiv i firmës “Strategy Risks”, në një mesazh të publikuar në platformën e rrjetit social X, i njohur më parë si “Twitter”.

Uashingtoni dhe Pekini kanë akuzuar njëri-tjetrin për spiunazh muajt e fundit.

Të mërkurën, një komision i Kongresit amerikan, njoftoi se do të nisë hetimet për përfshirjen e pretenduar të Kinës në ndërhyrjen e fundit në sistemet e postës elektronike të Departamentit të Tregtisë dhe Departamentit të Shtetit.

Hakerët, që dyshohet se janë të lidhur me agjencitë e inteligjencës së Kinës, po fajësohen për një fushatë disa mujore duke ndërhyrë te disa sisteme të paklasifikuara të postës elektronike të SHBA-së, duke i lejuar ata të kenë qasje në një numër të vogël llogarish në departamentet e Shtetit dhe të Tregtisë të SHBA-së dhe disa që i përkasin organizatave të tjera.

Zyrtarët në Pekin i kanë mohuar akuzat.

“Që nga viti i kaluar, institucionet që merren me sigurinë kibernetike nga Kina dhe vende të tjera të botës kanë publikuar raporte duke treguar se si qeveria amerikane ka kryer sulme kibernetike kundër Kinës përgjatë viteve” tha Wang Wenbin, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës një konferencë për shtyp më 12 korrik.

“Është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të sqarojnë aktivitetet e tyre kibernetike dhe të ndalojnë përhapjen e dezinformatave për të tërhequr vëmendjen e publikut”, tha ai.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump

Bllokada detare e ushtrisë amerikane ndaj anijeve që shkojnë dhe vijnë nga portet iraniane rifilloi në afatin e fundit në orën 4 pasdite sipas kohës...
22:21 | 14/07/2026

Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi tha të martën se Teherani “nuk ka detyrime” ndaj marrëveshjes 14-pikëshe me SHBA-në që u arrit muajin e kaluar. “Thelbi...
22:18 | 14/07/2026

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734

Numri i të vdekurve nga tërmetet e njëpasnjëshme të muajit të kaluar në Venezuelë u rrit në 4,734, tha të martën Presidenti i Asamblesë Kombëtare...
21:44 | 14/07/2026