SHBA-ja kërkon hetim për ndërhyrjen “dashakeqe” të Rusisë në zgjedhjet në Rumani
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim të plotë ndaj lëvizjeve të Moskës për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Rumani, pasi dokumentet e publikuara të mërkurën zbuluan se ky vend ishte në shënjestër të një “veprimi agresor hibrid nga Rusia”, që çoi drejt fitores befasuese të kandidatit prorus muajin e kaluar.
Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare i Rumanisë (CSAT) i publikoi dokumentet e klasifikuara, duke thënë se ato tregojnë se anëtarja e NATO-s dhe BE-së ishte në shënjestër të veprimeve të ndryshme e bashkërenduara para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 nëntorit, të cilin e fitoi Calin Georgescu.
Këshilli tha se Georgescu fitoi falë një fushatë të bashkërenduar në rrjetet sociale, e cila u orkestrua nga një “aktor shtetëror” sipas të gjitha gjasave.
Në zgjedhjet parlamentare një javë më vonë partitë proruse shënuan rritje të madhe duke i marrë rreth një të tretën e votave, edhe pse partitë proevropiane duket se kanë marrë mjaftueshëm vota për ta formuar koalicionin qeverisës.
Më 8 dhjetor, votuesit do të vendosin fituesin e zgjedhjeve presidenciale në një balotazh ku garojnë Georgescu dhe kandidatja proevropiane, Elena Lasconi.
Sipas dokumenteve të deklasifikuara, shërbimi i inteligjencës i Rumanisë beson se Georgescu është promovuar masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia, përmes metodave të shumta, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim me pagesë.
Dokumentet shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës në 22 për qind, përmes një operacioni të gjerë manipulimi që përfshinte influencerë dhe mashtroi institucione rumune si dhe votues të zakonshëm.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se, megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërhyjnë në zgjedhjen e popullit rumun apo në procesin zgjedhor, Uashingtoni është “i shqetësuar nga raporti i CSAT-it për përfshirjen ruse në aktivitete kibernetike dashakeqe me qëllim për të ndikuar në integritetin e procesit zgjedhor të Rumanisë”.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë