SHBA kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gazë, dorëzon draft-rezolutën në KS të OKB

21 Mars 2024 | 08:14

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një draft-rezolutë në Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Diplomati amerikan e bëri këtë njoftim gjatë turneut në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë edhe një vizitë në Izrael.

SHBA-ja, aleate kyçe e Izraelit, më herët kishte vendosur veto në Këshillin e Sigurimit për rezolutat lidhur me Gazën. Rasti i fundit ishte në shkurt, kur Uashingtoni kundërshtoi përdorimin e fjalës “menjëhershëm” në draftin e dorëzuar nga Algjeria.

Javët e fundit, megjithatë Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Izraelit, përderisa insiston që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – duhet të lirojë menjëherë pengjet e marra gjatë sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor.

“Në fakt, ne kemi një rezolutë që e kemi dërguar para Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm të lidhur me lirimin e pengjeve dhe shpresojmë që çdo shtet ta mbështetë atë”, tha Blinken gjatë vizitës në Arabinë Saduite.

“Mendoj se do të dërgonte një mesazh të fortë, një sinjal të fortë”, tha ai për median saudite Al Hadath.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin në shenjë hakmarrjeje për sulmin e 7 tetorit.

“Sigurisht, ne qëndrojmë me Izraelin në të drejtën e tij për të mbrojtur veten… por, në të njëjtën kohë, është imperative që civilët që gjenden në zona të luftimeve dhe të cilët po vuajnë në mënyrë të tmerrshme – të përqendrohemi te ta, le t’i bëjmë ata prioritet, pra mbrojtjen e civilëve dhe dërgimin e ndihmës humanitare”, tha Blinken, shkruan REL.

Zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të rezolutës që kur bllokuan draft-rezolutën algjeriane që bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm në Gazë”.

Ajo alternativë, që përqendrohej në mbështetjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve, kishte pak shanse të kalonte, thanë burimet diplomatike, sipas AFP-së. Kjo agjenci e lajmeve ka parë një version të ri të tekstit ku theksohet “nevoja për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm për të mbrojtur civilët, lejimi i ndihmës thelbësore për të lehtësuar vuajtjen… në lidhje me lirimin e pengjeve që po mbahen”.

Ende nuk është caktuar ndonjë seancë ku do të mund të votohej ky tekst.

Një ditë më herët, Blinken në Arabinë Saudite u takua me krerët shtetërorë, ndërkaq të enjten do të qëndrojë në Egjipt dhe të premten në Izrael.

Turneu i Blinkenit, që është i gjashti në rajon që kur nisi lufta, zhvillohet paralelisht me bisedimet që mbahen në Katar, ku ndërmjetësit për të tretën ditë me radhë u takuan të mërkurën në përpjekje për të arritur një armëpushim. Megjithatë, ka pak tregues se ata mund të arrijnë shpejt një marrëveshje.

Plani që po diskutohet në Katar do të mundësonte ndaljen e përkohshme të luftimeve në këmbim të lirimit të pengjeve dhe të burgosurve palestinezë. Gjatë kësaj periudhe, po ashtu do të rriteshin dërgesat me ndihmë humanitare në Rripin e Gazës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rritet sërish çmimi i naftës pas bllokadës së SHBA-së ndaj Iranit

Çmimet e naftës u rritën të mërkurën pasi SHBA-të nisën natën e katërt radhazi me sulme ndaj Iranit dhe rivendosën bllokadën ndaj anijeve që shkojnë...
11:43 | 15/07/2026

Akuzohej për djegien e një ndërtese qeveritare gjatë protestave të janarit, Irani ekzekuton një tjetër të dënuar

Irani ekzekutoi këtë të mërkurë një burrë të dënuar për vënien e zjarrit në një ndërtesë qeveritare gjatë protestave të janarit 2026. Mohammad Amini Dehaghani...
11:39 | 15/07/2026

Garda Revolucionare e Iranit kërcënon të mbyllë më shumë rrugë eksporti në Lindjen e Mesme

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka kërcënuar të ndalojë më shumë rrugë eksporti të energjisë nga Lindja e Mesme në përgjigje të...
11:36 | 15/07/2026