Soreca për Euronews Albania: Objektivi ynë, të vëmë në tryezën e Këshillit kornizën e bisedimeve në fillim të qershorit
I ftuar në studion e Ilva Now, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri z. Luigi Soreca foli për ecurinë e reformave, por edhe rrugës së rëndësishme të vendit tonë në BE.
Ilva Tare: Ambasador Soreca, pas gjithë këtyre problemeve për Shqipërinë të paktën, tërmeti, pastaj Koronavirusi, duhet të përparojmë me reformat tona në mënyrë që ta bëjmë efektive dhe konkrete hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Si po shkon Progres Raporti? Ju keni bërë disa takime virtuale me aktorë politikë. A jemi në gjendje t’i nxisim këto reforma apo kanë ngecur?
Ambasadori: Sigurisht që tërmeti dhe tani kriza e Koronavirusit e kanë lënë në hije disi këtë hap shumë, shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, kur më 25 mars Këshilli vendosi të hapë negociatat. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, por ka punë për të bërë dhe siç e thatë edhe ju, që të nesërmen e hapjes së negociatave unë pata disa biseda me qeverinë, sigurisht, por edhe me opozitën, brenda dhe jashtë parlamentit, me shoqërinë civile dhe institucione të tjera për të kuptuar angazhimin dhe për të përgatitur gjithë shoqërinë shqiptare për këtë përpjekje. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur se që nga presidenti deri te kryeministri, nga çdo person me të cilin fola, kryetari i opozitës, opozita parlamentare, shoqëria civile, e kuptojnë punën që duhet bërë. Tani Komisioni Evropian po përgatit atë që ne e quajmë korniza e bisedimeve, paralelisht me Progres Raportin. Objektivi dhe ambicia është ta vendosim në tryezën e Këshillit në fillim të qershorit, në mënyrë që Këshilli të negociojë dhe mundësisht ta miratojë nën presidencën kroate apo nën presidencën gjermane. Ju keni të drejtë, ka punë për të bërë, ka disa kushte që duhen përmbushur para Konferencës Ndërqeveritare, që është momenti i parë kur Shtetet Anëtare, Bashkimi Evropian dhe Shqipëria do të ulen së bashku. Unë mendoj se fryma që kam dëgjuar në bisedat e mia dhe ajo që e çoi përpara Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore është ajo e duhura, për t’u siguruar se disa nga reformat që ende duhen zbatuar, do të bëhen së shpejti.
Ilva Tare: A është e mundur që reformat të zbatohen në kushtet në të cilat ndodhemi për shkak të Koronavirusit dhe çfarë mendoni për klimën politike javët e fundit?
Ambasadori: Sigurisht që distancimi social dhe izolimi ka një ndikim mbi shpejtësinë, por mund t’ju them se puna vazhdon, sigurisht nga ana jonë, por edhe këtu në Tiranë ka diskutime rreth takimeve online dhe po punohet për përgatitjen e planit të veprimit që qeveria shqiptare do t’jua propozojë gjithë institucioneve. Dua të përsëris rëndësinë e përpjekjeve të gjithë shoqërisë për zbatimin e këtij kushti dhe duhet të them se klima që shoh, duke nisur nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore, por edhe ajo e shprehur, për shembull, në kontekstin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, që u mblodh përsëri sot duke pasur në tryezë aktorët kryesorë që duhet të punojnë për zbatimin e kushteve, më dha një ndjesi shprese dhe besimi se ky takim i rëndësishëm i Konferencës Ndërqeveritare do të konsiderohet si prioritet i rëndësishëm nga gjithë aktorët institucionalë.
Ilva Tare: Shumë faleminderit, Ambasador, për ndihmën dhe mbështetjen tuaj, si dhe që folët për EuroNews Albania.
Ambasadori: Është gjithnjë kënaqësi dhe do të shihemi sërish së shpejti. Shpresoj vërtet që ditët e ardhshme do t’u mundësojnë të gjithëve të ndihen të sigurt, të respektojnë rregullat dhe shpresojmë që do të dalim të gjithë së bashku nga kjo krizë dhe do të fokusohemi tek synimet e ardhshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Mirupafshim!
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 23:25 Dosja “Ura”, BKH arreston Adi Çobën, i akuzuar si organizator i trafikut të heroinës dhe kokainës
- 22:37 Zgjidhet Kryetarja e re e Këshillit Kombëtar të PD-së, ja kush e zëvendëson Palokën
- 22:30 Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur
- 22:28 Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz
- 22:28 SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem
- 22:24 Irani: Çdo kërcënim do të marrë përgjigje të menjëhershme, Trump të frenojë aleatët e tij