Sulmi në Moskë| Ambasadorja amerikane në Rusi me komunikatë të pazakontë

29 Mars 2024 | 21:55

Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, e ka lëshuar një komunikatë të pazakontë diplomatike të premten vonë, përmes së cilës i hodhi poshtë pretendimet e Qeverisë ruse rreth informatave që Shtetet e Bashkuara ia dhanë Moskës para sulmit terrorist të javës së kaluar në një sallë koncertesh në periferi të kryeqytetit, ku u vranë mbi 140 njerëz.

Tracy tha se disa zyrtarë rusë e “keqinterpretuan dhe e hodhën poshtë publikisht” dobinë e informatave që SHBA-ja ua kaloi shërbimeve ruse të sigurisë në fillim të këtij muaji, në lidhje me kërcënimet nga Shteti Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin në Moskë.

Në komunikatë, Tracy e përsërit se informatat u shkëmbyen në mënyrë të shkruar dhe shumë specifike, të besueshme dhe me kohë.

Ajo tha se SHBA-ja i dha këto informata përmes “politikës së kamotshme për ‘detyrën për të paralajmëruar’”, e cila mundëson shkëmbimin e informatave kur ka kërcënim ndaj civilëve të pafajshëm.

Kjo është një praktikë që SHBA-ja e ndjek jo vetëm me vendet aleate, por edhe me “vendet me të cilat ne mund të kemi mospajtime të thella, përfshirë me Rusinë”, tha ajo.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shkëmbejnë informata dhe gjithashtu do të “vazhdojnë t’i përgjigjen” kërkesave të Qeverisë ruse për ndihmë në lidhje me hetimin për sulmin terrorist në sallën e koncerteve Crocus, shkruan REL.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të premten se Uashingtoni kishte “shkëmbyer informata të qarta dhe me kohë me autoritetet ruse për të ndihmuar në parandalimin e sulmit dhe shpëtimin e jetëve të pafajshme”.

Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, tha se përpjekjet e Rusisë për t’ia bartur fajin të tjerëve janë “absurde”.

Më 26 mars, drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksandr Bortnikov, i përsëriti pretendimet e presidentit Vladimir Putin se jo vetëm Ukraina, por edhe Perëndimi ka gisht në sulmin vdekjeprurës.

Pa dhënë asnjë dëshmi, Bortnikov pretendoi se agjencitë perëndimore të spiunazhit mund të kenë qenë të përfshira në sulm gjithashtu, pavarësisht se e pranoi se kishte marrë informata nga Shtetet e Bashkuara në fillim të marsit për një sulm të mundshëm terrorist.

Shteti Islamik e ka marrë përgjegjësinë disa herë për këtë sulm, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore kanë thënë se “është tejet e qartë” se Shteti Islamik është i vetmi përgjegjës për këtë sulm.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: SHBA-ja është “e harmonizuar” me aleatët në Gjirin Persik sa i përket Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka synuar t’i sigurojë aleatët e Gjirit Persik se Uashingtoni do të mbetet “plotësisht i harmonizuar” me partnerët rajonalë,...
21:28 | 24/06/2026

Bitcoin bie nën 60,000 dollarë mes presionit në tregjet globale

Bitcoin ka rënë me rreth 5% të mërkurën, duke zbritur nën nivelin psikologjik prej 60,000 dollarësh, mes një presioni të shtuar të shitjeve në tregjet...
20:10 | 24/06/2026

Trump: Irani po bën lëshime të mëdha

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Irani po ofron lëshime të rëndësishme në kuadër të negociatave që po zhvillohen...
20:07 | 24/06/2026