Trump ashpërson tonet ndaj Rusisë: Veprime të neveritshme, do vendos sanksione

1 Gusht 2025 | 10:35

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër pas sulmit më të fundit rus në kryeqytetin ukrainas, Kiev, që la pas vetes 28 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Në një deklaratë për gazetarët nga Shtëpia e Bardhë, Trump e cilësoi ofensivën ruse si “të neveritshme” dhe paralajmëroi vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës.

“Mendoj që është e neveritshme ajo që po bën Rusia. Ajo çfarë po ndodh është shumë pikëlluese. Shumë rusë janë duke vdekur”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara po përgatisin një paketë të re masash ndëshkuese ndaj Rusisë, ndonëse nuk dha detaje specifike mbi përmbajtjen e tyre. Megjithatë, ai shtoi me skepticizëm se nuk është i sigurt nëse këto masa do të kenë ndikim tek presidenti rus Vladimir Putin.

Në vijim të përpjekjeve diplomatike, Trump konfirmoi se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Ëitkoff, do të vizitojë Moskën pas një ndalese në Izrael, ku do të zhvillojë bisedime për situatën në Rripin e Gazës. “Ai do të shkojë në Rusi, besojeni ose jo,” tha Trump.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në të njëjtën ditë me thirrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një “ndryshim regjimi” në Kremlin. Zelensky theksoi se kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për destabilizim të rajonit.

Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se Trump do të përballet së shpejti me një vendim të rëndësishëm nëse nuk ka përparim në përpjekjet për një armëpushim. Rubio konfirmoi se negociatat mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë kanë vazhduar privatisht, por nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat të prekshëm.

Presidenti Trump, i zhgënjyer me qëndrimin e Putinit, njoftoi më 29 korrik se do të shkurtojë ultimatumin 50-ditor për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në vetëm 10 deri në 12 ditë. Në rast të refuzimit nga pala ruse, ai paralajmëroi vendosjen e tarifave të reja.

Nga ana tjetër, Zelensky ka shprehur gatishmërinë për një armëpushim dhe ka propozuar një takim të drejtpërdrejtë me presidentin Putin — një ftesë e refuzuar nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi shkurtimisht se autoritetet ruse po ndjekin me vëmendje deklaratat e Trumpit, pa dhënë komente shtesë.

Lufta në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022, vijon të shkaktojë humbje të mëdha në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Rusia e justifikon ndërhyrjen si një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës, ndërsa Perëndimi ka reaguar me sanksione të rënda ekonomike ndaj Moskës, duke goditur rëndë ekonominë ruse. Si pasojë e konfliktit, mijëra njerëz kanë humbur jetën dhe miliona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Trump prezanton pasaportën e re amerikane me portretin e tij për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së

Presidenti amerikan Donald Trump prezantoi të premten pasaportat koleksionuese që mbajnë portretin e tij, të cilat do të qarkullojnë në një numër të kufizuar në...
09:06 | 27/06/2026

Meloni dhe Trump, një grindje shumë publike që po rezulton shumë e vështirë për t’u rregulluar

Në rrjetet sociale në Itali po qarkullon një meme i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, që tregon Giorgia Melonin duke bërë të gjitha gjërat që mund...
08:19 | 27/06/2026

Bilanci tragjik i tërmeteve në Venezuelë deri tani: 920 viktima dhe 3360 të plagosur

Më shumë se 900 persona janë vrarë dhe 3,360 të tjerë janë plagosur nga tërmetet në Venezuelë, sipas qeverisë, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të...
08:16 | 27/06/2026