Ekipi i tranzicionit i Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me administratën në largim të Joe Biden, me qëllim që të nisë përgatitjet për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja e miratuar nga Kongresi e lejon ekipin e tranzicionit që të punojë me agjencitë federale dhe të ketë qasje tek të dhëna jo publike ndërsa hap dritën jeshile për zyrtarët federalë që të marrin pjesë në proces.
Por memorandumi i së martës anashkaloi dukshëm një marrëveshje etike që do ta kishte detyruar Trumpin të ishte transparent se kush mund të financonte përpjekjet e tij të tranzicionit.
Marrëveshja në fjalë do t’i kishte siguruar ekipit të zotit Trump qasje tek zyrat qeveritare dhe llogaritë e postës elektronike dhe pajisje të tjera.
Marrëveshja është një hap kritik për sigurimin e një transferimi të rregullt të pushtetit në mesditë, ditën e inaugurimit më 20 janar, dhe shtron bazat që Shtëpia e Bardhë dhe agjencitë qeveritare të fillojnë të ndajnë detaje mbi programet, operacionet dhe kërcënimet me të cilat përballet vendi.
Në bazë të marrëveshjes me Shtëpinë e Bardhë, ekipi i zotit Trump do të duhet të bëjë publik planin e tij të etikës lidhur me procesin e kalimit të pushtetit dhe të angazhohet për zbatimin e tij, tha Shtëpia e Bardhë.
Ekipi i tranzicionit duhet të deklarohet se nuk ka konflikt interesi përpara se të ketë qasje tek informacione federale jo publike.
Sidoqoftë, në një deklaratë të martën, shefja e ardhshme e shtabit të Trump, Susie Wiles e quajti memorandumin një hap përpara.
“Ky angazhim i lejon të emëruarit tanë të synuar të kabinetit të fillojnë përgatitjet kritike, duke përfshirë vendosjen e ekipeve të uljes në çdo departament dhe agjenci, dhe të përfundojnë tranzicionin e rregullt të pushtetit,” shkroi ajo.
LEXONI GJITHASHTU:
Prokurori i kërkon gjykatës pushimin e çështjes ndaj Trump për ndërhyrje në zgjedhje