English

Ukraina sulme me dronë në thellësi të territorit rus në ditën e fundit të zgjedhjeve

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ukraina ndërmori një sulm masiv me dronë të dielën ndërsa rusët votonin në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale që pritet të zgjasin me gjashtë vite të tjera qëndrimin në pushtet të presidentit Vladimir Putin.

- Advertisement -

Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se ka rrëzuar 35 dronë ukrainas gjatë orëve të natës, përfshirë katër në rajonin e Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se një dron i pestë pranë aeroportit Domodedovo të kryeqytetit, u rrëzua mëngjesin e së dielës. Nuk pati njoftime për viktima apo dëme.

Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, dy dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin Kaluga në jug të kryeqytetit rus dhe në rajonin Yaroslav, në verilindje të Moskës.

Sulmet në rajonin Yaroslav, që gjendet rreth 800 kilometra larg kufirit me Ukrainën, janë ndër sulmet me rrezen më të gjatë që Ukraina ka bërë deri më tani.

Dronë të tjerë ukrainas u rrëzuan në rajonet Belgorod, Kursk dhe Rostov, që kanë kufij të përbashkët me Ukrainën, si dhe në rajonin jugor Krasnodar, njoftoi ministria ruse e Mbrojtjes.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov tha se bombardimet ukrainase vranë të dielën një vajzë 16-vjeçare dhe plagosën babanë e saj.

Një dron ra mbi një rafineri në rajonin Krasnodar, duke shkaktuar një zjarr që u fik disa orë më vonë, njoftuan autoritetet rajonale. Një punonjës vdiq nga një infarkt në zemër, thanë zyrtarët.

Rafineritë e naftës dhe depozitat e gazit kanë qenë objektiva kryesore të sulmeve të dronëve ukrainas.

Goditjet pasuan një seri sulmesh ukrainase gjatë ditëve të fundit, të cilat Presidenti rus Putin i cilësoi si një përpjekje e Ukrainës për të frikësuar banorët dhe për të sabotuar zgjedhjet presidenciale të Rusisë.

“Këto sulme të armikut nuk janë lënë dhe nuk do të lihen pa u ndëshkuar”, u zotua ai të premten gjatë një takimi të Këshillit rus të Sigurisë. “Jam i sigurt se populli ynë, populli i Rusisë, do t’i përgjigjet kësaj me një forcë bashkimi edhe më të madhe”.

Ndërkaq, ushtria ukrainase njoftoi se 14 dronë rusë u rrëzuan në rajonin Odesa të dielën. Ky sulm pason sulmet me raketa balistike ndaj këtij qyteti port të premten, ku u shkatërruan shtëpi dhe u vranë të paktën 21 persona. Një raketë e dytë goditi më pas ekipet e emergjencave që mbërritën në vendngjarje.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën se Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps hoqi dorë nga një udhëtim i planifikuar më herët këtë muaj në Odesa, për shkak të rrezikut nga raketat ruse. Gazeta Sunday Times njoftoi se zoti Shapps, i cili e pati vizituar Kievin në 7 mars, ishte paralajmëruar nga shërbimet britanike të zbulimit se Rusia kishte mësuar itinerarin e udhëtimit të tij.

Forcat ruse përdorën edhe pesë raketa S-300 në rajonet Kharkiv dhe Donetsk, si dhe dy raketa X-59 me vetëdrejtim në rajonin Chernihiv, njoftuan forcat ajrore ukrainase.

Ndërsa lufta ka hyrë në vitin e tretë, forcat ruse kanë bërë përparim të ngadaltë dhe të vazhdueshëm përgjatë vijës së frontit, të mbështetur tek avantazhi i kapaciteteve të tyre luftarake, ndërsa Ukraina është kundërpërgjigjur me sulme të shtuara me dronë në thellësi të territorit rus, si dhe sulme përtej kufirit.

Të shtunën, dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën nga bombardimet ukrainase në qytetin rus Belgorod, i cili është sulmuar rregullisht.

Ushtria ruse gjithashtu pretendoi se pati ndalur të shtunën një tjetër përpjekje për një sulm të shpejtë dhe të papritur nga ato që i quajti “grupe sabotazhi dhe zbulimi” të Ukrainës.

Korpusi i Vullnetarëve Rusë, ku marrin pjesë rusë që luftojnë së bashku me ukrainasit, publikoi një video në mediat sociale të shtunën ku pretendohet se janë kapur rob 25 ushtarë rusë. Ky pretendim nuk u vërtetua dot në mënyrë të pavarur.

LEXONI GJITHASHTU: 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

spot_img

TË FUNDIT

spot_img

Sondazh

Kush mendoni se ishte fituesi i debatit të parë presidencial në SHBA?