Vazhdojnë spekulimet mbi arsyet e rrëzimit të avionit azerbajxhanas në Kazakistan
Forcat ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan avionin e kompanisë ajrore të Azerbajxhanit në Kazakistan, duke vrarë 38 njerëz, thanë sot për agjencinë e lajmeve Reuters katër burime të njohura me gjetjet paraprake të një hetimi të Azerbajxhanit.
Azerbajxhani shpalli të enjten ditë zie kombëtare për viktimat avionit të rrëzuar të mërkuren, ndërsa po shtohen spekulimet mbi arsyet e rrëzimit.
Avioni “Embraer 190” i kompanisë ajrore të Azerbajxhanit të mërkuren u nis nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku për në qytetin rus të Groznit. Ai u devijua për arsye ende të paqarta dhe u rrëzua ndërsa po tentonte të ulej në Kazakistan.
Njëri nga katër burimet tha për agjencinë e lajmeve Reuters se “askush nuk pretendon se rrëzimi ishte i qëllimshëm. Megjithatë, duke marrë parasysh faktet, Baku pret që pala ruse të pranojë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit azerbajxhanas”.
Avioni u rrëzua rreth 3 kilometra nga qyteti Aktau, pasi kishte kaluar Detin Kaspik. Pamjet e filmuara me telefona celularë, të publikuara në internet tregonin avionin duke bërë një zbritje të pjerrët përpara se të përplasej në tokë. Pamjet e tjera treguan një pjesë të trupit të tij të shkëputur nga krahët dhe pjesën tjetër të avionit të shtrirë në bar.
Prokurori i Ministrisë së Transportit në Kazakistan tha se hetimet ende nuk kanë nxjerrë një përfundim rreth rrëzimit të avionit. Zëvendës Kryeministri i Kazakistanit, Qenat Bozymbaev tha se ai nuk mund të konfirmonte ose mohonte pretendimet se avioni është rrëzuar nga forcat ajrore ruse.
Duke folur në një konferencë shtypi të mërkurën, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se ishte shumë herët për të spekuluar mbi arsyet e rrëzimit, por tha se moti e kishte detyruar aeroplanin të ndryshonte kursin e planifikuar.
Autoriteti i aviacionit civil të Rusisë, Rosaviatsia, tha se informacionet paraprake tregojnë se pilotët u detyruan të devijonin avionin drejt qytetit Aktau pas një goditjeje nga një tufë zogjsh.
Sipas zyrtarëve në Kazakistan, në bordin e avionit ishin 42 shtetas të Azerbajxhanit, 16 rusë, gjashtë shtetas të Kazakistanit dhe tre të Kirgistanit. Ministria ruse e Emergjencave të enjten dërgoi nëntë të mbijetuar rusë për trajtime mjekësore në Moskë.
Pas fillimit të një hetimi zyrtar të rrëzimit të avionit, dolën njoftime të ndryshme mbi shkakun e rrëzimit, duke përfshirë pretendimet se vrimat në bishtin e avionit tregojnë se ai mund të jetë goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore. Forcat ruse të mbrojtjes ajrore mund të kenë ngatërruar avionin me dronët ukrainas.
I pyetur në lidhje me pretendimet se avioni ishte qëlluar nga armët e mbrojtjes ajrore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “do të ishte gabim të bëheshin hipoteza përpara se hetuesit të jepnin verdiktin e tyre”.
Kryetari i parlamentit të Kazakistanit, Maulen Ashimbayev, paralajmëroi gjithashtu kundër teorive të nxituara bazuar në fotot e fragmenteve të avionit, duke i quajtur pretendimet për goditjen e tij me armë të mbrojtjes ajrore të pabaza dhe “joetike”.
Zyrtarë të tjerë në Kazakistan dhe Azerbajxhan kanë shmangur në mënyrë të ngjashme komentet mbi shkaqet e rrëzimit të avionit, duke thënë se duhet të pritet raporti përfundimtar i hetuesve.
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta