Vdekja e Rexhep Qoses, Haxhiu: Ishte hero i mendjes, humbëm një nga personalitetet e mëdha
Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, në moshën 89-vjeçare.
Haxhiu, ka thënë se Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit.
“Humbëm një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike. Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim”, ka thënë Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik.
“Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas Haxhiut, për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete, duke shtuar tutje se përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti.
“Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat”, ka thënë më tej Haxhiu.
Në fund, ajo i shprehu ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë.
Kosovë, dhjetëra të arrestuar për prostitucion dhe shfrytëzim të fëmijëve
Aksion i madh i policisë në Kosovë, mbyllen 9 lokale me muzikë, arrestohen 15 persona
KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë
- 17:21 Zjarr në kodrën e Kuzum Babasë në Vlorë, rrezikohen banesat pranë zonës
- 17:08 Sulm me thikë në një shkollë në Gjermani, 16-vjeçari plagos rëndë dy nxënëse
- 17:06 Trump kritikon Italinë për mohimin e përdorimit të bazës gjatë luftës në Iran
- 17:04 Trump: Do ta heqim Sirinë nga lista e terrorizmit
- 16:58 Erdogan dhe Macron diskutojnë tregtinë, NATO-n dhe krizat rajonale në samitin e Ankarasë
- 16:56 Përplasja Trump-Spanjë në NATO, Sanchez: Me Trump folëm për Botërorin dhe pa tensione