English

Vendet e Evropës Juglindore miratojnë deklaratën e samitit për Ukrainën në Dubrovnik

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Përfaqësuesit e 12 vendeve të Evropës Juglindore miratuan të mërkurën vonë Deklaratën e samitit për Ukrainën në Dubrovnik të Kroacisë, ku mori pjesë edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e dënuar agresionin rus dhe duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

- Advertisement -

Deklarata e dënon agresionin rus në Ukrainë, e mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e uzurpoi më 2014, si dhe shpreh mbështetjen për planin e paqes të Zelenskyt dhe thekson se kushti për paqen është tërheqja e trupave ruse nga Ukraina.

Udhëheqësit e vendeve mbështetën integrimin evropian të Kievit dhe anëtarësimin në NATO kur të plotësohen kushtet.

Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e sigurisë energjetike të Ukrainës, veçanërisht duke pasur parasysh dimrin e ardhshëm. Në këtë kuadër, u konsiderua ofrimi i ndihmës për atë vend për të zbutur pasojat që pësoi sektori energjetik nga sulmet ruse.

Më tej thuhet se termocentrali bërthamor i Zaporizhja duhet të kthehet në kontrollin e Ukrainës dhe të funksionojë në përputhje me parimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Zaporizhja aktualisht është nën kontrollin rus.

Duke folur gjatë samitit, Zelensky tha se, nëse Evropa nuk është e bashkuar, atëherë “nuk mund të presim paqe”.

“Askujt në Evropë nuk duhet t’ia sjellim ndër mend se sa e çmuar është paqja, veçanërisht këtu në Ballkan. Çfarë ndodh në Ballkan dhe çfarë ndodh këtu në Ukrainë, në një farë mënyre, përcakton stabilitetin e të gjithë Evropës. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe që jeni ngritur kundër përpjekjeve të Rusisë për ta destabilizuar edhe këtë rajon”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas tha se prej korrikut janë duke punuar në një dokument që do të përmbajë kushtet që “duhen plotësuar për një përfundim të drejtë të luftës” dhe u bëri thirrje pjesëmarrësve të Samitit që të përfshihen në atë proces.

Mikpritësi i samitit, kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, tha se mbrojtja kundër agresionit rus nuk është vetëm një çështje solidariteti me Ukrainën, por interes kyç gjeopolitik për të gjithë.

“Kështu [duke ndihmuar Ukrainën] ne po investojmë në të ardhmen e fëmijëve tanë në të gjithë Evropën… Mosdënimi i Rusisë në këtë sulm ndaj Ukrainës do të inkurajonte regjimet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Në Evropën Juglindore, ne nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë”, shtoi ai.

Në këtë samit Kosovën e përfaqësoi presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se po merr pjesë në samitin në Dubrovnik për ta “riafirmuar mbështetjen për të drejtën e popullit ukrainas për të jetuar në liri”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua me Zelenskyn gjatë samitit në Dubrovnik, ku po merr pjesë edhe pse paraprakisht ishte paralajmëruar se Serbia do të përfaqësohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, transmeton agjencia e lajmeve Beta.

Para fillimit të Samitit, Pllenkoviq dhe Zelensky nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë.

Marrëveshja përqendrohet në përvojat e Kroacisë në ndjekjen penale të krimeve të luftës, mbështetjen e veteranëve të luftës dhe heqjen e minave.

Së bashku me Zelenskyn dhe Pllenkoviqin në samit morën pjesë edhe krerët e shteteve, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.

Ky është samiti i tretë për Ukrainën mes Ukrainës dhe Evropës Juglindore prej se Rusia e filloi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022, me të parin që u mbajt në Greqi dhe të dytin në Shqipëri.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Donald Trump prezantoi kriptomonedhën duke rritur frikshëm pasurinë brenda natës! Çfarë mendoni për lëvizjen e tij?