Vendndodhja e bosit “El Mencho” u zbulua pasi u vizitua nga një vajzë

24 Shkurt 2026 | 10:10

Një vizitë nga një “partnere romantike” çoi në zbulimin e vendndodhjes dhe më pas në vdekjen e njërit prej bosëve më të rrezikshëm të drogës në Meksikë, të njohur si “El Mencho”. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes së Meksikës.

Gjenerali Ricardo Trevilla Trejo deklaroi se informacioni i marrë nga një person i besuar i partneres së bosit të krimit u dha autoriteteve mundësinë të organizonin me shpejtësi një operacion në vendstrehimin e tij në Tapalpa, në shtetin e Jalisco-s.

“El Mencho”, emri i vërtetë i të cilit ishte Nemesio Ruben Oseguera Cervantes, ishte kreu i Karteli i Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Ai u plagos gjatë operacionit të zhvilluar të dielën dhe ndërroi jetë në helikopter, ndërsa po transportohej drejt Mexico City.

Shtetet e Bashkuara kishin ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij. CJNG njihet për trafikimin e sasive të mëdha të fentanilit, metamfetaminës dhe kokainës drejt SHBA-ve. Në shkurt 2025, organizata u shpall “organizatë terroriste e huaj” nga administrata e Donald Trump.

Gjatë bastisjes, persona të armatosur të kartelit hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë. Përplasjet u zhvendosën në një kompleks kabinash në një zonë të pyllëzuar, ku “El Mencho” u plagos së bashku me dy truprojat e tij. Të tre u transportuan me helikopter, por sipas gjeneralit Trevilla, ai vdiq gjatë rrugës.

Autoritetet thanë se pranë tyre u gjetën disa raketahedhës, por nuk arritën t’i përdornin. Tetë anëtarë të kartelit u vranë gjatë operacionit, ndërsa u sekuestruan granata, municione dhe automjete të blinduara.

Operacioni u pasua nga një valë dhune në disa pjesë të Meksikës. Anëtarë të kartelit bllokuan rrugë, dogjën automjete dhe kryen sulme hakmarrëse. Sipas zyrtarëve të sigurisë, të paktën 73 persona humbën jetën si pasojë e përplasjes dhe dhunës që pasoi, përfshirë forca sigurie, anëtarë të dyshuar të kartelit dhe civilë.

Ministri i Sigurisë, Omar Garcia Harfuch, bëri të ditur se 25 anëtarë të Gardës Kombëtare u vranë në gjashtë sulme të ndara, si edhe një agjent i prokurorisë, një roje sigurie dhe një grua. Ai theksoi se pas vdekjes së bosit të kartelit u regjistruan 27 sulme kundër autoriteteve në Jalisco. Sipas tij, 30 anëtarë të kartelit u vranë, si edhe një kalimtar i rastit, ndërsa katër të tjerë u vranë në shtetin fqinj Michoacan. Të paktën 70 persona janë arrestuar në shtatë shtete.

Autoritetet thanë se po monitorojnë nga afër çdo përpjekje për riorganizim të kartelit, që mund të çojë në dhunë të re.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, vlerësoi forcat e armatosura dhe deklaroi se vendi është tashmë “i qetë”, duke shtuar se mbi 250 bllokada rrugore të ngritura në 20 shtete janë hequr.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se SHBA-të kanë ofruar mbështetje informative për operacionin dhe përgëzoi ushtrinë meksikane për neutralizimin e një prej kriminelëve më të kërkuar në të dy vendet. Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar u bëri thirrje shtetasve britanikë në Meksikë të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ministri izraelit i Financave: Ushtria po thellon shkatërrimin e infrastrukturës në Liban

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich ka mbrojtur marrëveshjen e qeverisë me Libanin, duke thënë se ushtria izraelite kontrollon një rrip sigurie në Liban dhe...
22:53 | 27/06/2026

Trump: Do të emëroj Lance Schroyer si drejtor të ICE, Senati duhet ta konfirmojë menjëherë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të shtunën se do të emërojë Lance Schroyer si drejtorin e ardhshëm të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së. “Lance...
22:18 | 27/06/2026

Ministri Ben-Gvir kritikon marrëveshjen Izrael-Liban: Një gabim i madh

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir e ka kritikuar ashpër marrëveshjen kornizë me Libanin, duke e quajtur atë një “gabim të madh”. “Unë iu...
22:02 | 27/06/2026